Lidhje

Zbulim i ri: oksigjeni në Tokë në lashtësi


Hulumtuesit thonë se, rreth një miliardë vjet më parë, Toka kishte shumë më shumë oksigjen se sa mendohej deri tani. Ky zbulim mund të ndryshojë teorinë e evoluimit të jetës në Tokë.

Ky zbulim i studiuesve të Universitetit Brock në Kanada, u bë i mundur pas përdoriomit të një metode të re për të analizuar atmosferën e Tokës në lashtësi, duke analizuar flluska ajri mikroskopike të bllokuara në kristalet e kripës.

Synimi i ekipit të Universitetit Brock ishte të maste nivelet e oksigjenit në atmosferën e Tokës gati një miliardë vjet më parë.

“Është debatuar shumë se çfarë përmbajtje oksigjeni kishte Toka rreth 800 milionë ose më shumë vjet më parë,” thotë Profesori i Shkencave të Tokës Nigel Blamey.

“Ne kemi zbuluar një metodë direkte për të analizuar përmbajtjen e gazeve fosilorë të bllokuar dhe mësuam se niveli i oksigjenit ka qenë sa gjysma e nivelit të sotëm”.

Deri tani besohej se oksigjeni në atë kohë përbënte vetëm 2 për qind të atmosferës, por studiuesit thonë se pas analizave të reja, rezulton se ai përbënte rreth 10,9 për qind, rreth gjysma e nivelit të sotëm të oksigjenit në atmosferë.

Para studimit nga Universiteti Brock, flluskat e ajrit në kripën e gurit, ishin shumë të vogla për t’u analizuar.

Hulumtuesit thonë se gjetjet e tyre kanë “pasoja të mëdha” për teoritë në lidhje me mënyrën e evoluimit të jetës në Tokë.

“Deshifrimi i historisë së oksigjenimit të atmosferës dhe oqeaneve është jetik për të kuptuar proceset e erozionit, të shtresave sedimentare, ndryshimeve klimatike, zhdukjeve masive, lëvizjeve tektonike dhe evoluimin e jetës në Tokë”, thotë studimi i ekipit.

Profesori i Shkencave të Tokës Uwe Brand pajtohet me këtë.

Ai i tha kanalit televiziv kanadez CBC se nivelet e larta të oksigjenit në të kaluarën mund të ndryshojnë teorinë se kur filloi zhvillimi i jetës në planet.

“Tani paleobiologët do të kenë arsye për të studiuar dhe kërkuar gurë që përmbajnë gjurmë origjinale të këtyre hapave të parë evolucionarë”, i tha CBC-së zoti Brand.

XS
SM
MD
LG