Lidhje

50 vjetori i vrasjeve masive në Universitetin e Teksasit

  • Greg Flakus

Vrasjet masive janë bërë një tipar i trishtueshëm i jetës në Shtetet e Bashkuara, por 50 vjet më parë vendi u trondit kur ish marinsi amerikan dhe studenti i inxhinierisë, Charles Whitman u ngjit në një kullë mbi kampusin e Universitetit të Teksasit në Austin dhe filloi të qëllonte njerëzit.

Ai vrau më shumë se 12 vetë dhe plagosi 30 të tjerë para se të vritej nga policia. Siç njofton nga Austin, Greg Flakus, tani në atë vend ka një memorial për të nderuar viktimat e atij sulmi.

Ceremonia për të shënuar ngjarjen filloi në të njëjtën orë kur filluan të shtënat 50 vjet më parë.

Memoriali me granit të kuq mban emrat e 17 personave që vdiqën atë ditë ose më pas nga plagët:

Me këtë memorial, të mbijetuarit dhe familjet e viktimave shpresojnë të të gjejnë një lloj ngushëllimi për tragjedinë.

Ai ndodhet poshtë kullës ku në vitin 1966, Charles Whitman qëlloi nga platforma 70 metra e lartë e ndërtesës.

Një nga të plagosurit ishte Claire Wilson James, e cila mbijetoi por humbi foshnjen e palindur.

“Le të jetë ky memorial këtu në këtë kampus dhe në mendjet tona si një kujtim i forces që kemi në çdo moment për t’u bërë një komunitet i dashurisë.”

Studenti që trimërisht vrapoi për t’i shpëtuar asaj jetën atë ditë, aktori Artly Snuff, thotë se ngjarja la gjithashtu dëme të mëdha emocionale.

“Në Newtown, Aurora apo Orlando, kishte një fluks këshilluesish psikologë që shkuan aty pas ngjarjes dhe ata e dinë se njerëzit duhet të flasin rreth asaj që ndodhi. Por atëherë, në 1966 nuk kishte shërbime të tilla”.

Një hero tjetër atë ditë ishte Ramiro Ray Martinez, i cili së bashku me oficerin Houston McCoy u ngjitën në kullë dhe qëlluan për vdekje autorin.

“Armën e kisha bosh kështu që u zgjata dhe mora një tjetër dhe qëllova mbi snajperin që kishte një pushkë M-1 në dorë dhe doja të sigurohesha që nuk më qëllonte mbrapsht.”

Mbrojtësit e së drejtës së armë-mbajtjes theksojnë se civilët me armë luajtën rol për ta mbajtur snajperin të gozhduar në një pozicion, por pasi ai vdiq, zjarri i armëve nga poshtë e vuri Martinezin dhe oficerët e tjerë në rrezik.

Ky përvjetor ishte gjithashtu dita e zgjedhur nga asambleja e Teksasit për të zbatuar një ligj të ri që lejon pronarët e armëve t’i sjellin ato në kampus, përveç atje ku administrata e universitetit e ndalon një praktikë të tillë. Ligji i ri lejon armët të sillen në kampuse në se janë në këllëf dhe të sigurta ose të fshehura; ai nuk lejon shfaqjen e hapur të armëve në klasa. Megjithatë, pjesa më e madhe e studentëve dhe fakultetit e kundërshtojnë këtë pjesë të ligjit.

Por të dyja palët e lanë larg politikën në memorialin e dedikuar për viktimat dhe presidenti i universitetit të Teksasit në Ausin, Gregory Fenves e vuri theksin tek heroizmi dhe jo dhuna e asaj dite.

“Duke u përqëndruar tek e mira, historitë e heronjve dhe jetët e të mbijetuarve që janë sot këtu me ne, mundet më të fund të fillojmë të kujtojmë dhe të durojmë barrën e së kaluarës.”

Kulla mbetet simbol i edukimit dhe progresit dhe si të mbijetuarit dhe ata që punojnë dhe studiojnë aty sot preferojnë të mos mbahet mend për vrasjen masive gjysmë shekulli më parë.

XS
SM
MD
LG