Lidhje

Mali i Zi arreston një të dyshuar për krime lufte në Kosovë

  • Ali Salaj

Në Mal të Zi është arrestuar, të enjten në mëngjes, shtetasi malazez, Vlada Zmajeviq, 47 vjeçar nga Nikshiqi, me dyshimin se “ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë në vitin 1999, bënë të ditur e përditshmja malazeze “Vjesti”.

Në njoftim thuhet se Zmajeviq është shtetas malazez dhe në Kosovë ka luftuar si vullnetar.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thuhet se Vlado Zmajeviq ishte i pari në listë për krimet në Zhegër të Gjilanit.

Në bazë të hulumtimeve, Fondi ka dokumentuar se në këtë krim janë vrarë gjashtë persona më 29 dhe 30 mars të vitit 1999.

Në bazë të dëshmive, tetë autobusë me vullnetarë të Ushtrisë Jugosllave, kanë arritur në fshatin Zhegër më 29 mars 1999 dhe kanë vrarë gjashtë persona, civilë të komunitetit shqiptar, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq dhe gra.

Sekretariati i Punëve të Brendshme në Gjilan ka dorëzuar aktpadi ndaj shtatë personave në prokurorinë ushtarake për këtë krim, kurse i pari në listë ka qenë Vlado Zmajeviq.

Raportet e shoqatave për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë bërë të ditur se në Mal të Zi janë të strehuar një numër i konsiderueshëm i të

dyshuarëve për krime të luftës në ish-Jugosllavi. Edhe në një raport të Komisionit Evropian theksohet fakti se gjyqësori në Mal të Zi nuk po i përdor të gjitha fuqitë e tij në rastin e krimeve të luftës.

"Deri më tani nuk janë përdorur akuzat e përgjegjësisë komanduese, bashkëkryerja ose ndihma dhe bashkëfajësia", thuhet në raport. Në dy aktgjykimet u liruan nëntë ish zyrtarë të Ministrisë së Brendshme nga akuzat për depërtim të refugjatëve boshnjakë si dhe u liruan shtatë ish ushtar të ushtrisë Jugosllave për vrasjen e 20 refugjatëve shqiptarë nga Kosova në fshatin Hutaj në bjeshkët e Rozhajës.

XS
SM
MD
LG