Lidhje

Skandali rus i dopingut


Skandali i dopingut në lidhje me sportistët kryesisht rusë mbizotëroi në media gjatë ditëve dhe javëve para Lojrave Olimpike të Rios. Tani që Lojrat kanë filluar, sportistët thonë se është koha që vëmendja të përqendrohet te sporti.

Tani, pas fillimit të Lojrave Olimpike të Rios, çështja e dopingut ende përmendet kur flitet për disa aktivitete.

Javën e kaluar Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi se vetëm 271 sportistë rusë do të lejohen të konkurrojnë në Rio, nga 389 të listës fillestare.

Kjo pasi një komision i pavarur zbuloi raste përdorimi të dopingut të sponsorizuara nga shteti në atletikë. Hetimet që pasuan zbuluan shkelje edhe në sporte të tjera.

Peshëngritësi amerikan Kendrick Farris thotë se i vjen keq që nuk do të ndeshet me një kundërshtar të tijin rus:

“Është një konkurrent që i përket grupit të peshës sime, që ka fituar medalje në vitin 2012. Dhe natyrisht ai nuk do të konkurrojë përsëri këtë vit. Por kjo nuk është në dorën tonë. Pra duhet të përqëndrohemi se si do të dalim gjatë ndeshjeve”.

Shumë qeveri dhe organizata ndërkombëtare bënë thirrje që rusët të eliminoheshin plotësisht nga Lojrat. Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi që çdo federatë sportive ta merrte vetë vendimin për sportistët.

Shumica e rusëve të eliminuar nga Rio ishin peshëngritës, kajakistë dhe atletë. Farris thotë se federata e peshëngritësve mori vendimin e duhur.

“Duhet ta mbajmë sportin të pastër. Duhet të sigurohemi se të gjithë sportistët konkurojnë në mënyrë korrekte. Sepse Lojrat Olimpike përfaqësojnë konkurrencën më të lartë në botë,” thotë peshëngritësi Farris.

Këto Lojra janë të parat për peshëngritësen amerikane Morghan King. Ajo thotë se përpiqet të jetë e fokusuar pavarësisht skandalit të dopingut:

“Për mua, meqë është hera e parë, nuk dua që skandali të dominojë eksperiencën time. Dhe mendoj se për peshëngritësit u morën masat e duhura. Nëse nuk luhet pastër, duhet të ketë pasoja”.

Të gjithë sportistët me të cilët biseduam thanë se është koha të shohim përtej skandalit. Ata thanë se entuziazmi i lojërave vazhdon në Rio dhe pikërisht aty duhet të fokusohen sportistët.

XS
SM
MD
LG