Lidhje

Takimi Erdogan-Putin


Presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord të punojë për rifillimin e marrëdhënieve të plota me Turqinë, por tha se ringritja e lidhjeve tregëtare do të dojë kohë.

“Na pret përpara një punë e vështirë për të rigjallëruar bashkëpunimin tregëtar dhe ekonomik. Ky proces ka filluar por do të dojë kohë”, tha ai pas një takimi me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Shën Peterburg të Rusisë.

Komentet u bënë gjatë vizitës së parë jashtë vendit të zotit Erdogan, që kur ndodhi përpjekja për grusht shteti më 15 korrik.

Presidenti turk tha se dy vendet do të rivendosin objektivin vjetor dypalësh prej 100 miliardë dollarësh dhe do të përshpejtojë rifillimin e fluturimeve nga Rusia në Turqi. Udhëheqësi turk tha gjithashtu se është i gatshëm të ndërtojë një gazsjellës për gaz natyror me Rusinë dhe të negociojë një marrëveshje për të ndërtuar kompleksin e parë bërthamor të Turqisë.

Dy presidentët ranë dakord të takohen më pas për të gjetur pika të përbashkëta për zgjidhjen e krizës në Siri. Turqia dhe Siria mbështesin pale kundërshtare në konflikt.

Vizita e zotit Erdogan bëhet në një kohë kur marrëdhëniet e Turqisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara janë acaruar nga ajo që Ankaraja e sheh si shqetësim të perëndimit për dështimin e grushtit të shtetit.

“Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë kanë hyrë në një fazë shumë pozitive. Të dyja vendet dinë se si të vendosin objektiva të mëdha. Jam i sigurt se hapat që do të marrë secila palë, do të zgjerojnë bashkëpunimin”, tha zoti Erdogan para takimit.

Zoti Erdogan, shprehu indinjatën pas kritikave të perëndimit për shtypjen masive ndaj atyre që i konsideronte kundërshtarë, pas tentativës për grusht shteti. Rusia i dënoi me shpejtësi kryengritësit.

Mbi 270 persona gjetën vdekjen gjatë përpjekjes së dështuar nga disa elementë të ushtrisë. Presidenti Erdogan ka fajësuar klerikun turk Fetullah Gulen me banim në Shtetet e Bashkuara për orkestrimin e grushtit të shtetit.

"Është vizitë e rëndësishme për të dyja palët sepse të dyve u duhet të menaxhojnë marrëdhënie të vështira me Perëndimin: Putinit për sanksionet dhe normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Alexander Baunov i Qendrës Carnegie të Moskës, "ndërsa Erdogani, pas shtypjes së grushtit të shtetit dhe kritikave të ashpra nga politikanët perëndimorë, gazetarët dhe media, do që të tregojë se mund të afrohet me Rusinë dhe të distancohet nga Perëndimi”, shton analisti Baunov.

Preisdenti turk e konsideroi si tradhëti, reagimin e perëndimit, thotë Victor Mizin, i Institutit Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

“Pra, ai vendosi që të mbante një variant të qëndrimit ‘kthim nga Lindja’, duke nxitur marrëdhëniet me vende si Azerbaixhani, Irani, Kazakistani”, thotë analisti.

Por marrëdhënia me Rusinë është më e rëndësishmja nga ana taktike dhe jo vetëm për Turqinë.

“Tani është shumë e rëndësishme për Rusinë, që ta kthejë nga vetja dhe të përmirësojë marrëdhëniet me këtë vend që ishte në krye të përpjekjeve të NATO-s kundër Bashkimit Sovjetik në të kaluarën, dhe ku ishin vendosur aq shumë objekte zbulimi dhe radarë për të ndjekur aktivitetin ushtarak rus”, thotë analisti Mizin.

Takimi i sotëm ishte i pari mes dy udhëheqësve që kur marrëdhëniet mes dy vendeve u acaruan pas rrëzimit nga Turqia të një avioni ushtarak rus në nëntor përgjatë kufirit me Sirinë.

Bisedimet priteshin të përqendroheshin tek përmirësimi i lidhjeve ekonomike që u ndërprenë pas rrëzimit të avionit rus, ku gjetën vdekjen dy pilotë rusë.

Incidenti solli akuza, sanksione nga ana e Rusisë dhe frikë për një konflikt më të gjerë mes Rusisë dhe një anëtari të NATO-s.

Moska e akuzoi Ankaranë së mbështeste terrorizmin ndërsa Turqia akuzoi Rusinë se kishte shkelur hapësirën e saj ajrore dhe se kishte bombarduar objektiva civilë brenda Sirisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG