Lidhje

E-mailet e reja dhe Fondacioni Clinton


Një seri e re e-mailesh të Departamentit amerikan të Shtetit nga ditët e hershme të zonjës Hillary Clinton si sekretare e shtetit në vitin 2009, flet për lidhje të ngushta midis DASH-it dhe Fondacionit të bamirësisë Clinton që ajo themeloi me bashkëshortin e saj, ish-presidentin Bill Clinton.

Zonja Clinton, e cila tani është kandidate demokrate për presidente dhe kryeson në garën me republikanin Donald Trump, ka mohuar prej kohe që donatorët e fondacionit, i cili financon programe humanitare në të gjithë globin, kanë pasur qasje dhe ndikim të veçantë në Departamentin e Shtetit, gjatë qëndrimit të saj atje nga viti 2009 deri në 2013.

Komunikimet elektronike në fjalë, që u publikuan të martën nga Judicial Watch, një organizatë konservatore, e cila shpesh është përplasur me zonjën Clinton, tregojnë shkëmbime e-mailesh mes ndihmësve të saj dhe zyrtarëve të fondacionit.

Në një rast, Doug Band, ekzekutiv i fondacionit, i dërgoi e-maile ndihmësve të zonjës Clinton, Huma Abedin dhe Cheryl Mills, duke kërkuar ndihmë për të lidhur miliarderin libanezo-nigerian Gilbert Chagoury, donator i rëndësishëm i fonadacionit me dikë në Departamentin e Shtetit, për të diskutuar rreth interesave të tij në Liban.

Zoti Band i kërkoi zonjës Abedin t’i telefononte zotit Chagoury menjëherë, nëse ishte e mundur. "Është shumë e rëndësishme", shkruante Band.

Në një tjetër e-mail, zoti Band lobonte pranë ndihmësve të zonjës Clinton për një vend pune në Departamentin e Shtetit për dikë tjetër. Zonja Abedin përgjigjej: "Personeli i ka dërguar atij mundësi (për vende pune)."

Trego komentet

XS
SM
MD
LG