Lidhje

Trump, Obama, Clinton dhe ISIS


Këto ditë fushata zgjedhore amerikane u përballë përsëri me komente që shkaktuan mjaft debate. Donald Trump tha se komentet e tij sipas të cilave Presidenti Barack Obama kishte "themeluar" Shtetin Islamik ishin thjesht një ironi.

Por disa analistë e shohin një polemikë të tillë si një përpjekje të zotit Trump për të fituar votues. Komenti i zotit Trump u kritikua madje edhe nga ish-zyrtarë të administratave të mëparshme amerikane.

Kritikat ndaj politikës së jashtme të një presidenti në detyrë janë të zakonshme nëpër fushata.

"Sigurisht, në një kontekst më të gjërë Donald Trump mund të argumentonte se veprimet e administratës Obama kanë çuar në rritjen e ISIS-it, por zoti Trump nuk u shpreh kështu", thotë Susan Page e gazetës USA Today.

Page thotë se kjo i vuri gazetarët në një pozitë të vështirë.

"Ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë është të sigurojmë informacion, kontekst dhe të verifikojmë faktet që nuk kanë si synim të jenë kritike ndaj zotit Trump, por të informojnë votuesit në lidhje me saktësinë e komenteve tij."

Zoti Trump është në pozitë jo të lakmueshme, pasi ai nuk po arrin të përfitojë nga epërsia që krijoi në sondazhe pas kuvendit të partisë republikane. Ai ka mbetur prapa zonjës Clinton në shumicën e shteteve të pavendosura. Në përpjekjet për të fituar më shumë votues, zoti Trump po bën komente që tërheqin vëmendjen e tyre.

"Ai po i bashkëngjit emërtime fjalës ISIS, duke përdor metodat e shitësve, pra që amerikanët ta lidhin fjalën ISIS me fjalët themelues dhe bashkë-themelues. Zoti Trump po shton etiketime, ai është i paqartë, deklarativ dhe me besim në vete," thotë Lara Brown e Universitetit George Washington.

Analistja thotë se kjo mund të jetë një strategji e mirë në biznes, por jo në politikë:

"Duket se ai nuk e kupton se kush është fitues i ditës dhe pse duhet të përpiqesh të fitosh . Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me dy kandidatë, për të cilët votuesit kanë pikëpamje negative, unë them se është më mirë të mos jesh se sa të jesh në lajmet e ditës."

Kanë mbetur më pak se njëqind ditë deri në zgjedhje dhe zotit Trump po i mbaron koha për ta zhvendosur fokusin tek rivalja e tij.

XS
SM
MD
LG