Lidhje

Drejtësia, të mërkurën mbledhja e Komisionit


Do diskutohet ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it pritet të japin opinionin e tyre ndaj vërejtjeve të opozitës

Në Shqipëri, Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi pritet të mblidhet pas dy ditësh për të diskutuar projektligjin që lidhet me vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në këtë mbledhje pritet që ekspertët e dy misioneve të ndihmës ligjore, atij amerikan OPDAT dhe atij europian EURALIUS të paraqesin vlerësimet e tyre ndaj vërejtjeve të paraqitura nga opozita në fillim të këtij muaji. E djathta ka parashtruar një sërë ndryshimesh lidhur me projektligjin i cili konsiderohet si dhe pjesa më e rëndësishme e të gjithë procesit të Reformës, duke qenë se do të kalojë në sitë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit. Vlerësimi i tyre parashikohet të bëhet nën një monitorim të rreptë të përfaqësuesve ndërkombëtarë, europianë dhe amerikanë. Roli i tyre në këtë proces ishte një ndër ngërçet kryesore që zvarriti miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Ky projektligj i hap rrugë dhe ngritjes së institucioneve të tjera të parashikuara nga ndryshimet kushtetuese të miratuara me konsensus mesnatën e 21 korrikut. Pas tij pritet të diskutohen dhe tekstet e ligjeve për krijimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky i fundit është i domosdoshëm për të filluar ngritjen e prokurorisë së posaçme antikorrupsion dhe njësisë speciale hetimore e cila pritet të jetë e ngjashme me FBI-në amerikane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG