Lidhje

Simone Biles merr medaljen e katërt të artë në gjimnastikë


Ylli amerikan i gjimnastikës, Simone Biles, mori medaljen e katërt të artë në ditën e fundit të garave të gjimnastikës në Rio. Ajo humbi shansin që të bëhej sportistja e parë me pesë medalje të arta, ndërsa bëri një gabim në traun e ekuilibrit të hënën, që i kushtoi medaljen e artë. Biles zuri vendin e tretë me medaljen e bronxit. Por të martën, ajo fitoi në ushtrimet e lira, duke marrë medaljen e artë.

E marta do të jetë edhe hera e parë e rikthimit të garës së notit maratonë 10 kilometra për meshkuj në Lojërat Olimpike. Hera e fundit që është zhvilluar kjo garë ishte në vitin 1896 në Greqi. Po sot do të përfundojnë edhe garat në çiklizëm.

Lojtaret e volejbollit në rërë, amerikanet Kerri Walsh dhe April Ross do të përballen me dyshen kampione të botës, brazilianet Agatha Bednarczuk dhe Barbara Seixas. Atleti nga Xhamajka, Usain Bolt, do të konkurojë sot për medaljen e dytë të artë në garën e 200 metërshit për meshkuj. Ai fitoi medaljen e parë të dielën në garën e100 metra duke mundur amerikanin Justin Gatlin. Fituesi i medaljes së argjendë në 100 metërsh Gatlin, do të marrë pjesë në garën e sotme.

Ylli amerikan i notit, Michael Phelps, do të shpenzojë më shumë kohë me familjen dhe në fushën e golfit ndërsa njoftoi të hënën largimin e tij nga noti. Me 23 medalje ari, Phelps është bërë sportisti më i dekoruar në historinë e olimpikeve.

Rusi Evgeny Tishchenko fitoi medaljen e artë në boks për pesha të rënda përballë Vassiliy Levit të Kazakistanit. Në çiklizëm, italiani Elia Viviani habiti spektatorët duke fituar garën dhe medaljen e artë pas një rrëzimi në mes të garës. Ndërsa në mundjen greko-romane, Mijain Lopez Nunez i dha Kubës medaljen e dytë të artë në Olimpiket e Rios duke mundur turkun Riza Kayaalp. Kampionia e botës në vrap, amerikania Allyson Felix nuk arriti të rrëmbente medaljen e pestë të artë në garën 400 metra për femra. Në sekondën e fundit Shaunae Miller e Bahamas arriti ta mundë amerikanen me më pak se një sekondë, duke e kaluar vijën e finisht me një lëvizje të pazakontë, duke u hedhur, e jo me vrap. David Rushida i Kenias fitoi medaljen e artë në garën 800 metra.

Deri tani, Shtetet e Bashkuara kryesojnë Lojërat e Rios me medalje të arta të ndjekura nga Britania e Madhe në vend të dytë dhe Kina në vend të tretë.

XS
SM
MD
LG