Lidhje

Nënpresidenti amerikan Joe Biden në Kosovë


Nënpresidenti amerikan Joe Biden tha të mërkurën në Prishtinë se ripajtimi është i domosdoshëm dhe inkurajoi udhëheqësit e Kosovës që të përmbyllin çështjet që lidhen me fqinjësinë e mirë dhe të forcojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas takimeve me kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Hashim Thaçi, ai tha se, suksesi i Kosovës është sukses edhe për tërë rajonin ndërsa nënvizoi se vendimet e vështira që mund të jenë edhe jo popullore japin frytet e tyre, duke shprehur mirëkuptimin për siç tha, plagët e dhimbjet e së kaluarës.

"Ndonëse këto plagë janë ende të freskëta, e vetmja rrugë e përparimit të Kosovës është që të sigurojë ardhmëri të përbashkët, të çojë përpara ripajtimin dhe të sigurojë mbrojtjen e te drejtave të çdo qytetari", tha nënpresidenti Biden, duke mbështetur përkushtimin e udhëheqësve të institucioneve për të përmbyllur marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi që çoi në krizë të thellë politike.

Ai tha se Kosova duhet të punojë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, një nga çështjet që nxiti ndarje të thella në skenën politike në Kosovë.

"Do të jetë e vështirë por është e domosdoshme dhe një punë e rëndësishme dhe emergjente", tha ai duke theksuar se të njëjtën bisedë e ka zhvilluar edhe me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç një ditë më parë.

"Kjo është thelbësore për të çuar përpara integrimin e plotë të Kosovës dhe Serbisë në Evropë. Pa këtë kjo nuk do të ndodhë", tha nënpresidenti Biden, i cili duke ju referuar mospajtimeve në skenën politike në Kosovë, tha se dhuna dhe frikësimi nuk mund të lejohet në asnjë demokraci bashkëkohore.

Nënpresidenti Biden ishte këmbëngulës në thirrjet e tij për luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

"Njerëzit do të investojnë vetëm aty ku ka transparencë, vetëm aty ku ka rend dhe ligj. Korrupsioni është kancer”, tha zoti Biden duke kërkuar që të krijohen kushtet që të mos lejohet asnjë zyrtar të akuzuar dhe të dënuar që të mbajë poste publike.

Ai vlerësoi edhe siç tha, punën e institucioneve të Kosovës për të luftuar shkuarjen e luftëtarëve në Lindje e Mesme.

"Ju e keni bërë. Dua që bota të dëgjojë. Ata e kanë bërë. Ne e dimë se e kanë bërë", tha nënpresidenti Biden i cili sërish ritheksoi mbështetjen për Kosovën.

"Kosova nuk është vetëm. Ju keni miq të gatshëm për të ndihmuar gjithandej botës dhe asnjë mik më të madh se Shtetet e Bashkuara", tha ai, duke nënvizuar se është në interesin amerikan që Kosova të jetë pjesë e Evropës së bashkuar.

Udhëheqësit e Kosovës e vlerësuan me rëndësi të jashtëzakonshme vizitën e nënpresidentit Biden i cili në Kosovë shihet si një nga mbështetësit më të fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së saj.

Nënpresidenti amerikan Joe Biden, qëndroi të martën në Serbi në fillim të vizitës dyditëshe në rajon gjatë së cilës do të qëndrojë edhe në Kosovë. Vizita e tij në Beograd cilësohet si mbështetje për aspiratat evropiane të Serbisë, e cila po përpiqet të ruajë drejtpeshimin e saj ndërmjet perëndimit dhe Rusisë.

Ai takoi kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç dhe presidentin serb Tomislav Nikoliç, për të diskutuar edhe çështjet e hapura na marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Nënpresidenti Biden dhe kryeministri serb Vuçiç, nënvizuan siç u tha, rëndësinë e përparimit në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Kjo është punë e vështirë, nuk ka asgjë të lehtë dhe la shumë histori për të tejkaluar. Kërkohet shumë punë dhe vullnet politik për të tejkaluar dallimet", tha nënpresidenti Biden, duke nënvizuar se "nëse të dyja pakët qëndrojnë të përkushtuara ndaj ardhmërisë në paqe e përparim, kjo do t'u ndihmojë të dyja vendeve që të lëvizin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian".

Kryeministri serb tha se çështjet kryesore në bisedimet me nënpresidentin Biden ishin marrëdhëniet dypalëshe, bisedimet me Prishtinën, marrëdhëniet në rajon dhe rruga evropiane e Serbisë.

Ai tha se do të bëjë gjithë çfarë është e mundur për të siguruar invetsuesit, përfshirë edhe ata amerikanë, ndërsa nënvizoi se e ka njoftuar nënpresidentin Biden se brenda një muaji do të pres në Beograd kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama si dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës.

"Shumëkush ka bërë gabime në marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, shumë serbë e shqiptarë kanë humbur jetën", tha kryeministrit serb.

Derisa nënpresidenti Biden po bisedonte me kryeministrin serb, qindra mbështetës të Partisë Radikale serbe, protestuan kundër vizitës së tij, duke brohoritur në favor të kandidatit presidencial amerikane, Donald Trump.

Protestuesit që po brohorisnin "Votoni për Trumpin" mbanin të veshura bluza me portretin e kandidatit republikan.

"Trumpi është alternativë e globalizmit. Ai do të shkatërrojë qendrat e vjetra të fuqisë në Amerikë dhe është mbështetës i Rusisë", tha kryetari i Partisë Radikale Vojislav Sheshel, dikur shef i kryeministrit aktual të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe presidentit serb Tomislav Nikoliç.

"Joe Biden duhet ta dijë që Serbia nuk e do por e urren atë", tha Sheshel duke nënvizuar rolin e Shteteve të Bashkuara në fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë.

Nënpresidenti Biden, ndërkaq pas takimit me kryeministrin serb shprehu ngushëllimet e tij për serbët që kanë humbur jetën gjatë bombardimeve të NATO-s, duke u bërë kësisoj zyrtari i parë amerikan që e bën një gjë të tillë.

Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor në fushatën e bombardimeve të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në proceset politike që çuan në pavarësinë e saj e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Ndonëse nuk u përmend gjatë konferencës me gazetarë, besohet se nënpresidenti Biden ka nxitur Beogradin që të trajtojë me përparësi çështjet që lidhen me krimet e luftës. Në këtë kuadër ai besohet të ketë diskutuar edhe ndriçimin e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyci, tre shqiptaro amerikanë që u vranë në rrethana të panjohura në korrik të vitit 1999.

Kryeministri serb, Aleskandër Vuçiç, është zotuar disa herë për ndriçimin e këtij rasti, por edhe 17 vjet pas luftës autorët nuk janë identifikuar dhe as vënë para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG