Lidhje

Trump, zëvendësime në udhëheqjen e fushatës


Kandidati republikan për president, Donald Trump riorganizoi strukturat drejtuese të fushatës së tij të mërkurën, më pak se tre muaj para votimeve për zgjedhjet presidenciale.

Stephen Bannon, një prej drejtuesve të lartë të faqes elektronike konservatore të lajmeve “Breitbart”, u emërua në postin e drejtuesit ekzekutiv të fushatës, ndërsa anketuesja Kellyanne Conway u emërua në postin e menaxheres së fushatës.

"Ata janë jashtëzakonisht të aftë, shumë të kualifikuar që duan të fitojnë dhe që dinë si të fitojnë" u shpreh zoti Trump përmes një deklaratë.

Fushata e zotit Trump tha se pozicioni i zotit Bannon do të përfshijë mbikëqyrjen e personelit dhe “nisma madhore të fushatës," ndërsa zonja Conway do të përqëndrohet tek "mesazhet” dhe do të udhëtojë shpesh me kandidatin.

Zoti Trump tha se lëvizjet nuk ndikojnë në rolin e zotit Paul Manafort, i cili ka drejtuar fushatën në dy muajt e fundit, që kur ai pushoi nga puna ish drejtuesin e fushatës Corey Lewandowski në qershor.

Manafort është përballur me kritika për lidhjet e tij me ish presidentin pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovich, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2014. Riorganizimi i ekipt drejtues pason njoftimin e gazetës New York Times për ekzistencën e dokumenteve sekrete në Ukrainë që tregojnë se 12.7 milionë dollarë ishin të destinuara për zotin Manafort.

Manafort mohoi të ketë marrë ndonjë pagesë për punën e tij në Ukrainë, duke i quajtur akuzat “të pabaza dhe të absurde."

Trump po garon për herë të parë për një post zyrtar dhe është pas kundërshtares demokrate Hillary Clinton me gati 6 për qind në anketat në nivel kombëtar.

Fushata e zonjës Clinton ka kërkuar zbulimin e plotë të çdo lidhje midis subjekteve pro-ruse dhe zotit Manafort apo kujtdo tjetër në ekipin e zotit Trump.

Në takimin e fundit të fushatës së tij të martën në mbrëmje në shtetin e Uiskonsënit, Trump tha se në se zgjidhet, ai do t’i bëjë zyrtarët e lartë të nënshkruajnë një marrëveshje që i ndalon të marrin pagesa për fjalime nga “çdo sublekt që ka lidhje me qeveri të huaja” apo çdo kompani që ka lobistë të regjistruar.

Sot, zoti Trump pritet të informohet për herë të parë për çështje të sigurisë kombëtare, një lëvizje që bëhet për të siguruar që kushdo që zgjidhet president i ri, të jetë i informuar kur merr detyrën në janar.

Stili spontan i të folurit të zotit Trump ka ngritur disa shqetësime se ai mund të nxjerrë të fshehtat e informimeve të tilla.

XS
SM
MD
LG