Lidhje

Turqia do të lirojë 38.000 të burgosur


Turqia ka në plan të lirojë 38.000 të burgosur të cilëve u kanë mbetur më pak se dy vjet nga dënimi, për të hapur vend në burgje për mijëra persona që janë arrestuar javët e fundit nën akuza për pjesëmarrje në grushtin e dështuar të shtetit.

Ministri turk i drejtësisë Bekir Bozdag e shpalli dekretin sot në mëngjes. Ai paralajmëroi se këto janë lirime me kusht dhe jo falje të dënimit. "Shpresoj se marrëveshja është e dobishme për të burgosurit, të dashurit e tyre, për njerëzit tanë dhe për vendit tonë", u shpreh ministri.

Edhe të burgosurit që kanë kryer më shumë se gjysmën e dënimit do të kenë të drejtë të aplikojnë për lirim me kusht. Dekreti nuk përfshin të burgosurit e dënuar për vrasje, terrorizëm, dhunë në familje, apo dhunë seksuale.

Më 15 korrik, të paktën 270 persona u vranë gjatë një përpjekjeje për grusht shteti, që sipas qeverisë, ishte ideuar nga kleriku mysliman Fethullah Gylen që banon në SHBA. Pas përpjekjes së dështuar, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe filloi arrestimin e njerëzve të dyshuar për këtë komplot.

Më shumë se 35 mijë persona, mes të cilëve gjykatës, akademikë dhe gazetarë - janë ndaluar për t'u pyetur, dhe më shumë se 17 mijë prej tyre janë nën arrest.

Po sot, Ministri Bozdag shpalli një dekret të dytë për shkarkimin e më shumë se 2300 oficerëve të policisë, 136 oficerëve ushtarakë dhe 196 punonjësve të agjencisë për teknologjinë e informacionit.

Masat e qeverisë pas dështimit të grusht-shtetit kanë shkatuar kritika nga disa vende evropiane dhe organizatat e të drejtave të njeriut që i kanë kërkuar Turqisë të tregojë përmbajtje.

XS
SM
MD
LG