Lidhje

Sezoni i zjarreve në Kaliforni


Më shumë se 100 struktura janë shkatërruar e më shumë se 1 mijë njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë si rezultat i zjarreve në Kaliforninë perëndimore dhe qendrore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan nga qyteti Los Anxheles, Kalifornia po përballet me një sezon tejet të rëndë zjarresh ndërsa zjarrëfikësit presin përkeqësimin e situatës.

Autoritetet thonë se ky zjarr në qarkun Lake në veri të San Françiskos është shkaktuar nga një njeri, por thatësira katër vjeçare bëri që zjarri të përhapej në gjithë komunitetin rural.

Vetëm në Kaliforni janë gjashtë vatra të mëdha zjarresh e disa të tjera në pjesën perëndimore të vendit.

Në Los Anxheles, ku shumë shtëpi janë nëpër kodra, zyrtarët thonë se janë gati për sezonin e zjarreve me një aeroplan të ri, përfshi mjetet speciale që u mundësojnë mjeteve ajrore të furnizohen me ujë pa u ulur. Richard Licon është me Departamentin e Zjarrfikësve në Los Anxheles.

“Me paisjet speciale, mjetet ajrore marrin ujë nëpër lumenj dhe liqene për të luftuar zjarrin papushim pa patur nevojë të ulen.”

Ky helikopter gjigand mbart 10 mijë litra ujë, por duhen aftësi për të manovruar në zonat e zjarrit. Natalie Jones është pilote.

“Bëhet fjalë për një mjedis të rrezikshëm. Duhet siguruar që i shikon mjetet e tjera ajrore dhe trajektorja ku vepron përreth. Duhet siguruar komunikimi i qartë dhe siguria mbi gjithçka. Po ashtu duhet siguruar objektivi ku do të hidhet uji, që të mos ketë dëmtime përreth.”

Në pritje në Los Anxhelos, pilotët flasin rreth sfidave për të qënë në gadishmëri si ata, zjarrfikësit dhe paisjet, ndërsa e dinë mirë se vatrat e zjarrit do përhapen edhe atje. Paul Gottiwig është me Departamentin e Zjarrfikësve në Los Anxheles.

“Është shumë e vështirë që me pak pilotë të vazhdosh operacione 24 orëshe. Një prej sfidave më të mëdha është caktimi i turneve të atyre që përleshen me zjarrin. Një tjetër sfidë është mirëmbajtja e mjeteve ajrore, që ato të jenë vazhdimisht në gjendje pune.”

Zyrtarët amerikanë thonë se sezoni i zjarreve mund të vazhdojë deri në nëntor në pjesët veriore dhe qendrore të Kalifornisë. Në kushtet aktuale të thatësirës, zjarret mund të vazhdojnë edhe më gjatë në pjesën jugore të shtetit.

XS
SM
MD
LG