Lidhje

Drejtësia, të martën konferenca kryetarëve


Ligjet e paketës së reformës, do të diskutohet kalendari i seancave për miratimin e e tyre. Të hënën mbledhja e Komisionit të posaçëm parlamentar për ligjin e rivlerësimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Në Shqipëri kryetari i parlamentit Ilir Meta njoftoi sot se ka thirrur për të martën e ardhshme mbledhjen e drejtuesve të grupeve parlamentare për të vendosur datat e thirrjes së seancave në të cilat do të duhet të miratohen disa prej 7 projektligjeve kryesore të paketës së Reformës në Drejtësi.

Pak ditë më pare, zoti Meta deklaroi se do të duhej të thirrej me shpejtësi një seancë për miratimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe më pas dy projektligjeve të tjera që lidhen me Prokurorinë speciale antikorrupsion dhe qeverisjen e gjyqësorit për të cilat, siç shpjegoi ai, është rënë dakort të kalojnë brenda 30 gushtit.

Të hënën ndërkohë pritet të mblidhet Komisioni i Reformës në Drejtësi i cili do të diskutojë ligjin për rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku do të mësohet qëndrimi përfundimtar i opozitës. Në mbledhjen e së mërkurës ekspertët e misioneve ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT dhanë opinionin e tyre mbi një dokument voluminoz me vërejtjet e opozitës. EURALIUS bëri të ditur se kishte rënë dakort me disa nga vërejtjet, kryesisht rishikime të disa termave apo riformulime të pikave të neneve të caktuara. Një pjesë tjetër të vërejtjeve ekspertët i konsideruan si të dobishme, por vlerësuan t’i qëndrojnë tekstit ekzistues.

Përfaqësuesi i EURALIUS-it theksoi më pas 4 parime bazë të cilat u cilësuan si “vendimtare që Bashkimi europian të angazhohej me fonde dhe ekspertizë në procesin e riverësimit”, i cili në thelb ka përfshirjen e misionit ndërkombëtar të monitorimit. “Roli i këtij misioni nuk mund të reduktohet. Monitorimi i projektuar ndërkombëtar është një instrument i rëndësishëm për t’i mundësuar publikut të rifitojë besimin në gjyqësor”, nënvizoi përfaqësuesi i EURALIUS-it.

Tre parimet e tjera “thelbësore për BE-në” të cilat ai vuri në dukje duke kundërshtuar idetë e propozuara nga opozita, kishin të bënin me faktin që “nuk mund të ekzistojë një afat kohor ose një kalendar për secilin rast individual. Në procesin administrativ të ri-vlerësimit nuk aplikohet kodi i procedurës penale, çdo rast individual vendoset sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjitha çështjet fillojnë menjëherë. Kjo pasi barra e provës mund të kalojë tek subjekti që vlerësohet, dhe procesi i rregullt kërkon kohë të mjaftueshme për hetime dhe mbledhjen e provave”.

Një tjetër pikë ka të bëjë me institucionet që do të ofrojnë informacionin për fazën e rivlerësimit. “Procesi përdor informacionin, dosjet dhe strukturat administrative ekzistuese, në mënyrë të veçantë ILDKPKI-në për kontrollin e pasurisë dhe autoritetet policore dhe të inteligjencës për vlerësimin e figurës. Njohuritë dhe kompetenca e tyre është e nevojshme dhe nuk mund të zëvendësohet nga stafi i ri apo strukturat e reja. Roli i ILDKPKI-së është parashikuar në Kushtetutë dhe nuk mund të vihet në pikëpyetje. Roli i saj është që të japë të gjithë informacionin që ata kanë, por jo konkluzione, të cilat janë për organet e ri-vlerësimit. Zbatimi i rivlerësimit, hetimi dhe vendimi përfundimtar bëhet gjithmonë nga institucionet e rivlerësimit nën monitorimin ndërkombëtar.

Çështja e katërt lidhet me bashkëpunëtorët e drejtësisë, të cilët sipas EURALIUS-it “konsiderohen një mjet i rëndësishëm për të hyrë në praktikat korruptive dhe për të marrë provat përkatëse. Pjesëmarrja e publikut është çelësi për të ndryshuar mentalitetin mbi korrupsionin”.

Deri më tani opozita nuk është shprehur publikisht rreth opinionit të ekspertëve ndërkombëtarë. Në përfundim të mbledhjes së të mërkurës, përfaqësuesi demokrat në Komisionin e Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi deklaroi se “ekspertët do të ulen për të integruar dhe për të gjetur versionin përfundimtar. Eshtë proces hartimi legjislativ dhe besoj se do të mbyllet shpejt”, u shpreh zoti Bylkbashi.

XS
SM
MD
LG