Lidhje

Parlamenti, seancë më 30 gusht

  • Armand Mero

Do të kalojë për votim ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i miratuar më herët në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Opozita e kundërshtoi: Eshtë antikushtetues

Parlamenti shqiptar do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme më 30 gusht për të votuar projektligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i konsideruar si instrumenti kyç për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Vendimi u mor në mbrëmje nga konferenca e kryetarëve. Në përfundim të saj, nënkryetari i grupit socialist Taulant Balla shpjegoi se “Komisionit të Posaçëm ju la detyrë që të vazhdojë me dy ligjet e tjera” ai për Prokurorinë e posaçme Antikorrupsion dhe një tjetër që lidhet me qeverisjen e gjyqësorit, ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Më herët Komisioni i Reformës në Drejtësi miratoi projektligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vetëm me votat e anëtarëve të shumicës së majtë. Opozita e cila paraqiti 47 amendamente për një pjesë të mirë të neneve të këtij projektligji, nuk mori pjesë në votim, në shenjë kundërshtie ndaj mosmarrjes parasysh të vërejtjeve dhe propozimeve të saj, duke deklaruar se teksti i miratuar paraqet “një devijim të rëndë të dispozitave kushtetuese”

Opozita që në fillim pati shprehur kundërshti të thella ndaj projektligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më 1 gusht ajo paraqiti në komision një dokument voluminoz me vërejtje të shumta. Javën e shkuar ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS-it dhe OPDAT-it bënë të njohur opinionin e tyre ndaj vërejtjeve të demokratëve. Ata pranuan disa nga propozimet e bëra, por megjithatë u duk qartë se dallimet ishin të forta, ndërsa nënvizuan katër parimet bazë të cilësuara si të domosdoshme për angazhimin në këtë proces të Bashkimit europian me fonde dhe ekspertizë.

Gjatë gjithë këtyre ditëve opozita nuk u shpreh publikisht ndaj vlerësimeve të ekspertëve të dy misioneve. Sot në mbledhjen e Komisionit të Reformës, ajo paraqiti një numër të madh amendamentesh për një pjesë të mirë të neneve. Që në hyrje të dokumentit, bëhej e qartë se ajo i përmbahej tekstit të fillimgushtit, ndërsa shpjegonte se “riformulimi në dispozita konkrete është bërë për të lehtësuar dhe përshpejtuar punën e shqyrtimit të shqetësimeve të opozitës dhe për të qartësuar komentet e bëra, dhe për pasojë nuk mund të vlerësohet si version i ri i projektligjit të depozituar në Komisionin e Posaçëm, por amendamente përmirësuese të aspekteve të caktuara të tij”.

Edhe diskutimet në mbledhjen e sotme duket se nuk kanë patur efekt, përderisa në fund projektligji kaloi vetëm me votat e shumicës, e cila siç deklaroi përfaqësuesi socialist Pandeli Majko i ishtë përmbajtur variantit të ekspertëve të BE-së dhe SHBA-ve: “Të gjitha vërejtjet që patën miratimin e EURALISU-it dhe OPDAT-it, u kalun me consensus nga ana e shumicës. Biles në fund ne ramë dakort që në process, jemi të hapur edhe për ndonjë detaj teknik përmirësues, që të angazhohemi në këtë drejtim”, deklaroi zoti Majko.

Por për opozitën dallimet nuk janë të karakterit teknik. Sipas përfaqësuesit demokrat Oerd Bylykbashi, projektligji ka problem të rënda kushtetuese: “Ajo që është gjithashtu po aq e rëndë dhe po aq e rëndësishme, është fakti që Partia Demokratike, megjithëse propozoi një numë të madh amendamentesh për një pjesë të ligjit, këto amendamente u hodhën poshtë nga shumica pa asnjë lloj argumenti. Amendamentet e propozuara vetëm për një pjesë të ligjit - për pjesën tjetër janë në përpunim e sipër amendamente të tjera -kanë një qëllim të vetëm, që ky projektligj kaq i rëndësishëm, për të cilin nuk ka as standart ndërkombëtar, as praktikë të mirë ndërkombëtare, dhe për rrjedhojë saktësia e tij është shumë e rëndësishme, ky projektligj të kthehet në binarët e amendamenteve kushtetuese të miratuara në 22 korrik 2016”.

Zoti Bylykbashi njoftoi dhe ankimim të mundshëm në Gjykatën Kushtetuese: “Pa ardhur në këto binarë, ky projektligj që miratoi shumica në Komisionin e Posaçëm, është antikushtetues. Ne jemi të sigurt se nuk do t’i qëndrojë dot testit përpara Gjykatës dhe më tej”.

Qëndrimi i PD-së paralajmëron kundërshtimin e saj edhe në seancën e 30 Gushtit, kur projektligji do të kalojë për votim. Për miratimin e tij kërkohet një shumicë të cilësuar prej 84 votash, të cilat numerikisht koalicioni i majtë i kontrollon dhe i vetëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG