Lidhje

KE ndëshkon Irlandën dhe Apple për evazion fiskal


Zyrtarët e agjencisë anti-monopol të Bashkimit Evropian urdhëruan kompaninë Apple t’i paguajë qeverisë irlandeze deri në 13 miliardë dollarë si dhe interesin mbi këtë shumë, pasi arritën në përfundimin se një skemë e krijuar për të kaluar përfitimet përmes Irlandës përbënte subvencion të paligjshëm qeveritar.

Komisionerja evropiane që merret me mbarëvajtjen e konkurrencës në tregun e përbashkët evropian, Margrethe Vestager tha se në qendër të çështjes janë dy vendime për trajtimin e veçantë fiskal të kompanisë Apple.

“Komisioni Evropian mori sot vendimin se lehtësitë fiskale për kompaninë Apple në Irlandë janë të paligjshme. Dy marrëveshje fiskale të Irlandës për këtë kompani e kanë ulur barrën e taksave që duhet të paguante Apple gjatë dy dekadave, duke thyer rregullat e BE-së për subvencione shtetërore. Tani Apple duhet t’i kthejë këto para që nuk ka paguar në vlerë 13 miliardë dollarë, plus interesin”.

Zonja Vestager ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj kompanive të huaja, por kryesisht atyre amerikane, duke zemëruar Uashingtonin, i cili e ka akuzuar Brukselin për proteksionizëm.

Zonja Vestager thotë se vendimi kundër firmës Apple duhet të shërbejë si paralajmërim për vendet e tjera anëtare të BE që të mos ofrojnë lehtësira të padrejta për kompanitë e huaja që veprojnë në territorin e tyre.

“Vendimi dërgon një mesazh të qartë. Vendet anëtare nuk mund t’u japin lehtësira të padrejta fiskale disa kompanive. Nuk ka rëndësi nëse janë evropiane apo të huaja, të mëdha, apo të vogla, veprojnë në grup apo jo”.

Kompania Apple dhe qeveria irlandeze thanë se do ta apelojnë vendimin. Sipas Komisionit Evropian, për iPhonet dhe pajisjet e tjera të shitura në 2014 Apple paguante taksa që përfaqësonin 0.005% të vlerës, ndërsa në 2003 paguante taksa në masën 1% të vlerës së shitur.

Komisioni Evropian akuzoi në 2014 Irlandën se ka shkelur rregullat ndërkombëtare fiskale duke lejuar Apple të mos taksohet për miliarda dollarë fitime, me synimin për ta mbajtur kompaninë në Irlandë që të ruheshin vendet e punës. Kompania Apple dhe Irlanda i kanë hedhur poshtë akuzat.

Apple vjet arriti fitime prej 18 miliardë dollarësh që janë shuma më e madhe e fitimeve e deklaruar ndonjëherë nga një kompani, prandaj ndëshkimi me 13 miliardë dollarë nuk përbën ndonjë goditje të rëndë për të. Kompania Apple, përmes një deklarate shprehet optimiste se do ta fitojë procesin e apelimit.

XS
SM
MD
LG