Lidhje

Udhëheqësit e shkarkuar ndër vite


Presidentja braziliane e pezulluar nga detyra, Dilma Rousseff, gjatë seancës së Senatit për shkarkimin e saj më 29 gusht, 2016

Presidentja braziliane e pezulluar nga detyra, Dilma Rousseff, gjatë seancës së Senatit për shkarkimin e saj më 29 gusht, 2016

Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff hyri dje në radhët e krerëve të shteteve që hiqen nga detyra, duke iu bashkuar një numër ish-udhëheqësish të tjerë të shkarkuar ose nëpërmjet procedurave ligjore ose nën kërcënimin e përdorimit të këtyre procedurave.

Ja udhëheqësit e shkarkuar nëpërmjet procesit ligjor:

- PARAGUAJ: Fernando Lugo u shkarkua si president në vitin 2012 për moskryerje të detyrës në mënyrën se si e trajtoi një mosmarrëveshje për të drejtat pronësore që la 17 të vdekur.

- LETONI: Rolandas Paksas u rrëzua në vitin 2004, i akuzuar se i dha shtetësinë letoneze një biznesmeni rus në këmbim parash. Ai nuk lejohet më të shërbejë në poste politike në Letoni, por u zgjodh në Parlamentin Evropian në vitin 2009.

- INDONEZI: Abdurrahman Wahid, i akuzuar për paaftësi dhe korrupsion, u shkarkua në vitin 2001.

- PERU: Alberto Fujimori dha dorëheqjen nga presidenca në vitin 2000 me faks nga Tokioja, pasi kërkoi shtetësinë japoneze në bazë të origjinës së prindërve të tij.

- EKUADOR: Abdala Bucaram, i akuzuar për vjedhje fondesh publike, u rrëzua në vitin 1997 për “paaftësi fizike dhe mendore”, gjashtë muaj pas inaugurimit të tij si president.

- VENEZUELA: Carlos Andres Perez, i akuzuar për vjedhje dhe pasurim të paligjshëm, u shkarkua në vitin 1993. Ndaj Presidentit të tanishëm Nicolas Maduro ka një propozim për referendumi për ta hequr nga detyra.

Ish-udhëheqësit që u detyruan të jepnin dorëheqjen, pas kërcënimit se do të shkarkoheshin:

- GUATEMALË: Otto Perez, i akuzuar se ishte pjesëtar i një rrjeti zyrtarësh që morën ryshfete për të lejuar kompani të ndryshme të importonin mallra pa taksa importi. Atij iu hoq e drejta e imunitetit presidencial nga parlamenti më 1 shtator, 2015. Meqë priste të shkarkohej, ai dha vetë dorëheqjen dy ditë më pas.

- GJERMANI: Christian Wulff dha dorëheqjen si president në shkurt 2012. Atij iu hoq e drejta e imunitetit pas një akuze për influencim të paligjshëm. Më pas ai u lirua nga akuzat.

- ISRAEL: Pas një skandali korrupsioni, presidenti Ezer Weizman dha dorëheqjen në korrik 2000, për të mos u përballur me procedurat e shkarkimit.

Në qershor 2007, presidenti Moshe Katsav dha dorëheqjen si pjesë e një marrëveshjeje për pranim të fajit, pasi u akuzua për përdhunim dhe vepra të tjera seksuale. Në vitin 2011, ai u dënua me shtatë vjet burg.

- BRAZIL: Fernando Collor de Mello, i akuzuar për korrupsion, dha dorëheqjen në vitin 1992, në fillim të seancës së tij për shkarkim para senatit.

- SHBA: Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen në gusht 1974 për të shmangur shkarkimin pothuajse të sigurt lidhur me skandalin Watergate.

XS
SM
MD
LG