Lidhje

Engel vizitë në Tiranë


Kongresmeni amerikan në vizitë pune. Takime me presidentin Bujar Nishani dhe kreun e opozitës Lulzim Basha

Kongresmeni amerikan Eliot Engel nisi sot një vizitë pune në Tiranë. Ai u prit në një takim nga presidenti Bujar Nishani. Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi angazhimin e kongresmenit amerikan dhe e falenderoi atë “për rolin e veçantë dhe mbështetjen e fuqishme që ai personalisht i ka dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, për afro tre dekada si kongresmen”. Zoti Nishani ka ritheksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve ndërsa është nënvizoi se “Shqipëria dhe shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si mikun dhe aleatin e saj strategjik më të madh”, duke shtuar se “se shqiptarët me krenari të veçantë e legjitime do të jenë gjithnjë krah Shteteve të Bashkuara në përballimin e sfidave globale dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e ekstremizmit të dhunshëm me baza fetare. Shqipëria është e vendosur për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin, si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel global”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Kongresmeni Engel shoqërohej dhe nga një prej personaliteteve të diasporës shqiptare në SHBA, zoti Harry Bajraktari. Duke shfrytëzuar edhe praninë e tij, presidenti Nishani u shpreh se “ne shqiptarët ndjehemi shumë krenarë për diasporën tonë në SHBA dhe kontributin që ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve mes tyre dhe Shteteve të Bashkuara”.

Kongresmeni Engel pati një takim dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, i cili gjithashtu e falenderoi për “kontributin e vyer që ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën si dhe angazhimin e përhershëm për demokracinë në Shqipëri”. Zoti Basha më pas është ndalur dhe në zhvillimet e fundit politike në vend, ku ai ka përsëritur qëndrimet e njohura të opozitës. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, krimi dhe droga me mbështetje shtetërore si dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht, ishin shqetësimet e ngritura nga zoti Basha në këtë takim”, bëri të ditur një njoftim i shpërndarë nga Partia Demokratike.

XS
SM
MD
LG