Lidhje

Në Maqedoni pritet formimi i qeverisë teknike


Në Maqedoni pritet formimi i qeverisë teknike pas marrëveshjes së arritur mbërmë që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen më 11 dhjetor. Dy herë gjatë këtij viti zgjedhjet e parakohshme nuk arritën të zhvilloehn në datat për të cilat ishte rënë dakort më parë. Komuniteti ndërkombëtar u bëri thirrje partive që zgjedhjet e 11 dhjetorit të jenë të besueshme. Nga Shkupi njofton korrespondenti ynë Isak Ramadani.

Pritet formimi i qeverise teknike ne Maqedoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:25 0:00

Vendimi i të mërkurës në mbrëmje i katër drejtuesve të partive më të mëdha në Maqedoni për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohëshme, është përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar. Bisedimet e gjata ndërmjet drejtuesve politik rezultuan në fund me pëlqimin e tyre që zgjedhjet të mbahen më 11 dhjetor. Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn përmes një komunikate të përbashkët u bëjnë thirrje të gjitha partive politike që ta respektojnë procesin zgjedhor, që t’u mundësojnë qytetarëve të zgjedhin lirshëm, ndërsa pas zgjedhjeve të formojnë qeverinë e cila do të merrej me reforma thelbësore dhe që do të punonte në interes të të gjithë qytetarëve.

Mogherini dhe Hahn theksojnë mbështetjen e tyre të vazhdueshme për gjithë procesin për ta ndihmuar vendin që të kthehet në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Edhe ambasadori amerikan Jess Baily, i cili që nga fillimi i këtyre bisedimeve para më shumë se një viti ka qenë ndërmjetës për arritjen e një zgjidhjeje, thekson se është me rëndësi të jashtëzakonshme që partitë, mjetet e informimit dhe vetë qytetarët të bashkëveprojnë në lidhje me përparimin e vendit.

“Vendimet duhet ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të besueshme, drejt reformave që do të rezultonin me integrimet euro-atlantike”, tha ambasadori amerikan.

“Në fund, ajo që është më e rëndësishme, është opinioni i vetë qytetarëve të këtij vendi, se a u besojnë këtyre zgjedhjeve, a do të sjellin ato rezultat të drejtë, sa janë plotësuar kriteret, kjo është çështje para së gjithash e qytetarëve të këtij vendi”, tha ambasadori Baily.

Ai shtoi se mjetet e informimit kanë një rol të rëndësishëm në informinin e drejtë të qytetarëve, ndërsa i bëri thirrje medias që “të bëjë gjithçka që është e mundur për të njoftuar mbi çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, për personalitetin e kandidatëve që do të garojnë për ta drejtuar vendin.”

Ndërkohë, edhe katër drejtuesit politik presin një proces të drejtë, ndonëse midis Nikolla Gruevskit dhe Zoran Zaevit vazhdon të mbizotërojë mosbesimi.

“LSDM vitin e kaluar krijoi krizë, të cilën e zvarriste sa më shumë që mundej. Ne bëmë shumë hapa me qëllim që t’i sjellim në një gjendje ku nuk do të mund t’i anulonin më zgjedhjet, ku të mos kenë ku të shkojnë por të përballen me popullin dhe t’i mudnësojë atij të bëjë zgjedhje”, tha Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE.

“Iku koha e dhunës zgjedhore dhe e falsifikimit të vullnetit të lirë të qytetarëve. Me këtë përfundoi edhe koha e regjimit të Nikolla Gruevskit. Më 11 dhjetor do ta mundim varfërinë, kriminalitetin, korrupsionin, ndarjet etnike, urrjetjen", u shpreh Zoran Zaev.

“Më në fund fitoi Maqedonia; Arritëm marëveshje me të cilën u pajtuam se janë plotësuar të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike", tha Ali Ahmeti, BDI.

“Më e rëndësishme është që të gjithë të kuptojnë se këto zgjedhje do të jenë të ndershme e demokratike, jo vetëm në letrën që nënshkruam, por dhe në përgjithësi në terren. Përgjegjësinë kryesore do ta mbajnë partitë të cilat e bëjnë qeverisjen e Maqedonisë prej 2 shtatorit e mëtutje; Ne do të vazhdojmë të kemi rol konstruktiv dhe shpresat për zgjedhje korrekte vazhdojmë t’i kemi tek bashkësia ndërkombëtare, te SHBA, BE dhe të tjerët”, tha Menduh Thaçi, PDSH.

Ndërkohë, në këtë kuadër, pritet të bëhen ndryshime në qeveri, përkatësisht Lidhjes Social Demkrate të opozitës t’i jepen dy poste ministrash, ai i Punëve të brendshme dhe i Çështjeve sociale si dhe tre vende zëvendës-minstrash në atë që do të njihet si qeveri teknike. Nga ana tjetër ministri aktual i Punëve të brendshme Mitko Çavkov ka dhënë dorëheqjen dhe në vend të tij është propozuar Oliver Andonov, kuadër i VMRO-së, i cili do ta ushtrojë këtë detyrë vetëm deri të premten (2 shtator), kur pritet të miratohet qeveria teknike.

XS
SM
MD
LG