Lidhje

Kabul: Forcat afgane vrasin tre militantë


Forcat afgane të sigurisë thonë se vranë tre militantë të armatosur gjatë një operacioni për t’i dhënë fund një konfrontimi prej disa orësh në qendër të Kabulit. Zëdhënësi i ministrisë së brendshme afgane, Sediq Seddiqi tha se gjatë operacionit në zonën Shar-e-Naw të Kabulit u plagosën 6 njerëz dhe shpëtuan 42 të tjerë, duke përfshirë 10 të huaj, që ndodheshin në një ndërtesë të lidhur me organizatën bamirëse, Care International.

Shefi i policisë së Kabulit, Fraidoon Obaidi dha hollësitë e ngjarjes në një konferencë shtypi.

"Katër kryengritës ishin të përfshirë në sulm, njëri prej tyre shpërtheu një makinë të mbushur me eksplozivë dhe tre të tjerë brenda ndërtesës u vranë nga forcat speciale të policisë. Gjashtë persona u plagosën gjatë sulmit."

Policia tha se 42 njerëz, duke përfshirë 10 të huaj, u shpëtuan pa dëmtime nga një kompleks banimi i lidhur me organizatën bamirëse, CARE International në zonën Shar-e-Naw të kryeqytetit.

Policia tha se sulmi filloi të hënën në mbrëmje me një shpërthim masiv të një makine bombë që u pasua me të shtëna armësh. Forcat speciale të policisë afgane rrethuan menjëherë zonën dhe iu përgjigjën personave të armatosur.

Një zëdhënës i ministrisë së brendshme të Afganistanit tha se të shtënat kishin rifilluar herët në mëngjesin e së martës dhe forcat afgane të sigurisë vranë të gjithë personat e përfshirë në këtë sulm.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Shefi ekzekutiv afgan Abdullah Abdullah e dënoi sulmin duke e quajtur atë një "akt kundër fesë, besimit dhe njerëzimit."

"Afganët janë duke luftuar kundër terroristëve të cilët marrin trainim, këshilla dhe udhëzime në rajonin tonë", tha ai në një deklaratë, duke iu referuar Pakistanit fqinj.

Qeveria afgane prej një kohë të gjatë akuzon Pakistanin, sidomos institucionet e tij ushtarake, për mbështejtje të fshehtë të kryengritjes së Talibanëve në Afganistan. Islamabadi i ka hedhur poshtë akuzat.

XS
SM
MD
LG