Lidhje

Teksas, garë e ngushtë për kandidatin Trump

  • Greg Flakus

Kandidati për president Donald Trump mund të ketë probleme në shtetin më të rëndësishëm të partisë Republikane – Teksasin. Ish kandidati republikan p[r president John McCain fitoi në këtë shtet me 12 për qind diferencë në vitin 2008 dhe ish kandidati tjetër republikan Mitt Romney fitoi atje me 16 për qind në vitin 2012. Por një sondazh i kohëve të fundit tregon se diferenca mes kandidatëve Trump dhe Clinton është vetëm 6 për qind. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Hjustoni, rezultati mund të varet nga pjesëmarrja e të rinjve dhe latino-amerikanëve në votime.

Tani që kanë filluar leksionet në Universitetin e Hjustonit, Maria Villenas u ofron njerëzve në kampus t’i regjistrojë për të votuar.

Ajo përfaqëson një grup jofitimprurës të quajtur “Mi Familia Vota”, që do të thotë Familja Ime Voton.Ajo është veçanërisht e interesuar për rreth 40 për qind të studentëve të këtij universiteti, të cilët janë amerikano-latinë dhe që kanë ndikim të madh në familjet e tyre.

“Shoh se gjithnjë e më shumë fëmijët i kërkojnë prindërve të regjistrohen, u japin formularët e regjistrimit, dhe marrin prindërit e tyre në qendrat e votimit” thotë Maria Villenas.

Profesori i shkencave politike David Branham gjithashtu sheh shenja se studentët mund të rrisin përfshirjen politike të familjeve të tyre.

“Nuk është e pazakontë që të rinjtë të kenë ndikim në politikën e prindërve të tyre. Prindërit nuk mund të pajtohen me çdo gjë, por ata bisedojnë dhe kur fillon diskutimi, ata fillojnë edhe të angazhohen” , thotë profesori.

Demokratët e Teksasit e kanë bazuar shumicën e strategjisë së tyre mbi mbështetjen e amerikano-latinëve dhe votuesve të rinj, se shumë njerëz në të dy grupet janë shqetësuar nga fjalët e kandidatit Trump.

“Unë nuk pajtohem me atë bën dhe thotë Donald Trump, kështu që nuk dua që ai të jetë president”, thotë një studente.

“Ai tashmë e ka treguar veten se sa i keq është, duke folur keq për meksikanët dhe gratë dhe njerëzit e tjerë”, thotë Laura Montenegro.

Nëse kandidati Trump do të investojë kohë dhe burime në shtetin kryesisht republikan, kjo do të zvogëlojë mundësitë për fitore në shtetet më të vështira për të.

“Nëse fitorja në Teksas nuk është gjë e sigurt, është lajm i keq për zotin Trump” thotë profesori Branham.

Një tjetër problem për zotin Trump është se shumica e republikanëve të Teksasit votuan për senatorin e shtetit Ted Cruz, i cili ka refuzuar ta mbështesë atë. Por republikanët kundër Trump-it në Teksas janë vendosmërisht kundër kandidates Clinton.

“Unë do të çuditesha në qoftë se njëri nga këto kandidatë do të fitojë 50 për qind të votave; mendoj se të paktën 10 për qind nuk do të votojnë për askënd në listën e votimit”, thotë zoti Branham.

Në qoftë se do të jetë garë e vështirë në Teksas, rezultati do të varet se sa republikanë do të mbështesin kandidatin Trump dhe se sa të suksesshëm do të jenë demokratët të motivojnë një numër të madh amerikano-latinësh dhe votuesish të rinj të marrin pjesë ditën e votimit.

Një problem tjetër është se përqindja e amerikano-latinëve të cilët votojnë për partinë Republikane në Teksas është më e lartë se në shtetet e tjera dhe propozimet e rrepta të zotit Trump për emigracionin mund të mos i shqetësojnë ata aq shumë sa problemet ekonomike dhe papunësia.

Në çdo zgjedhje që nga viti 1994 në Teksas, republikanët kanë fituar rreth një të tretën e votës amerikano-latine, e cila, në kombinim me pjesëmarrjen e lartë të republikanëve të bardhë, ka qenë e mjaftueshme për të fituar votat e shtetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG