Lidhje

Rrëzohet një aeroplan privat në jug të Shkupit

  • Isak Ramadani

Një aeroplan privat, që po udhëtonte nga qyteti verior italian Trevizo, u rrëzua të martën në një rajon malor të Maqedonisë, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë pasagjerëve.

Mediet lokale cituan burime të policisë maqedonase të kenë thënë se katër qytetarë italianë dhe dy nga Kosova humbën jetën gjatë rrëzimit të aeroplanit në jug të Shkupit. Agjencia italiane e lajmeve ANSA tha se ishin pesë shtetas italianë dhe një nga Kosova.

Prokuroria maqedonase përveç njoftimit për fillimin e hetimeve, nuk ka dhënë hollësi të tjera.

Piloti kishte kërkuar që të ulej në aeroportin e Shkupit për t'u furnizuar me kerozinë, por nuk kishte raportuar për ndonjë emergjencë. Pak më pas aeroplani humbi kontaktin me aeroportin.

Disa media në Shkup kanë njoftuar se destinacioni i avionit ishte Prishtina, por autoritetet nuk i kanë konfirmuar njoftimet dhe ende nuk kanë dhënë hollësi të tjera rreth udhëtarëve. Ata e përshkruan aeroplanin si një fluturake të lehtë të prodhimit të kompanisë amerikane "Piper Aircraft Inc".

Mbetjet e avionit u gjetën disa orë pasi që ai u zhduk nga radarët.

Vendi ku është rrëzuar avioni nuk është i qasshëm për makinat, kurse policia maqedonase ka bllokuar zonën dhe nuk lejon lëvizjet në pjesën ku ka ndodhur rrëzimi.

XS
SM
MD
LG