Lidhje

A do të ketë dy presidentë në Shtëpinë e Bardhë në janar?


Nëse kandidatja demokrate, Hillary Clinton fiton ndaj rivalit republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, në janar do të hyjnë dy presidentë në Shtëpinë e Bardhë.

Bëhet fjalë për ish-presidentin Bill Clinton, bashkëshortin e ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, që nëse ajo zgjidhet do të marrë rolin e Xhentëlmenit të Parë.

Deri tani nuk dihet se si do të thërritet ai zyrtarisht, pasi nuk ka ende protokoll për një rol të tillë.

“Nuk ka precedentë, thotë Allan Litchman, profesor historie në Universitetin Amerikan në Uashington. Por një gjë është e sigurt: Ai nuk duhet të quhet Zonjë e Parë. Duhet të quhet Xhentëlmeni i Parë, sigurisht”.

Në Shtetet e Bashkuara, Zonja e Parë tradicionalisht ka një rol mbështetës dhe jo shumë të dukshëm. Zonjat e Para zakonisht përqafojnë një nismë politike që nuk ngjall polemika, si për shembull përpjekjet e Zonjës së Parë, Michelle Obama për të luftuar obezitetin tek fëmijët.

Hillary Clinton ndoqi një rrugë më të ndryshme, duke zgjedhur reformimin e sistemit shëndetësor, një çështje politike e debatueshme, shumë komplekse me shumë faktorë. Përfundimisht ajo përpjekje dështoi.

Bill Clinton ka lënë të kuptohet se do të heqë dorë nga roli në Fondacionin Clinton për të shmangur perceptimin e konfliktit të interest.

Por çfarë roli mund ose duhet të marrë ai, nëse zonja Clinton bëhet Presidente?

“Do t’i duhet të mësojë, thotë Profesori Lichtman. Dhe mendoj që do të jetë në gjendje të manovrojë”.

Por ai shton se ish-presidenti Clinton është i njohur si person i paparashikueshëm dhe se nëse e lë në hije të shoqen, nëse ajo zgjidhet, kjo mund të shkaktonte problem.

“Pyetja më e rëndësishme është nëse mund ta mbajë veten nën kontroll”, thotë ai.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG