Lidhje

Trump: Putin, udhëheqës më i mirë se Obama


Kandidati republikan për president, Donald Trump, tha se Presidenti rus Vladimir Putin është treguar udhëheqës më i mirë se sa Presidenti Barack Obama. Zoti Trump tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë interesin e përbashkët për të mposhtur ISIS-in. Presidenti Obama i hodhi poshtë komentet e kandidatit republikan.

Gjatë një diskutimi në rrjetin NBC ku Donald Trump u intervistua veçmas kandidates demokrate Hillary Clinton, ai tha se mendon që do të ishte një president me një “marrëdhënie shumë të mirë me Putinin”. Ai gjithashtu tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një interes të përbashkët në mposhtjen e Shtetit Islamik.

Zoti Trump kritikoi veprimet ushtarake të SHBA-së në Irak, gjatë udhëheqjes së zotit Obama.

“Gjeneralët nuk kanë patur sukses nën Barack Obamën dhe Hillary Clintonin. Mendoj se nën udhëheqjen e tyre, gjeneralët janë bërë të pavlerë. Janë katandisur në atë pikë saqë është e turpshme për vendin tonë.”

Duke folur nga Laosi në mbyllje të Samitit të Azisë Juglindore, zoti Obama i hodhi poshtë komentet e zotit Trump, duke thënë sërish se ai nuk është i përshtatshëm për president:

“Nuk mendoj se është i kualifikuar për t’u bërë president i SHBA-së, dhe më konfirmohet ky opinion sa herë që ai flet. Mendoj se më e rëndësishme për publikun dhe mediat është ta dëgjojnë ç’thotë dhe t’i bëjnë pyetje të mëtejshme për gjëra që duken kontradiktore ose për ide krejtësisht të lajthitura.”

Gjatë një fjalimi të mëparshëm të mbajtur dje në Filadelfia, zoti Trump tha se sapo të marrë detyrën e presidentit, do t’u japë 30 ditë kohë komandantëve ushtarakë për të paraqitur një plan për të mundur Shtetin Islamik, për të cilin ai ka thënë se ka “planin e tij sekret”.

Kandidatja demokrate Hillary Clinton reagoi, duke thënë se “sekreti është se ai nuk ka asnjë plan”.

Zoti Trump dhe zonja Clinton do të përballen më drejpërdrejt më datë 26 shtator, gjatë debatit të parë presidencial. Në vijim do të pasojnë edhe dy debate të tjera, përpara zhvillimit të zgjedhjeve më 8 nëntor.

XS
SM
MD
LG