Lidhje

Peniani konfirmon se ka kryer provë bërthamore


Koreja e Veriut konfirmoi se aktiviteti sizmik që u vu re sot në mëngjes në afërsi të një objekti të saj ushtarak ishte shkaktuar nga një provë bërthamore. Presidenti amerikan Barack Obama e dënoi provën e Penianit.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë kurrë Korenë e Veriut si shtet bërthamor.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Barak Obama e quante provën bërthamore të Koresë së Veriut "një kërcënim të rëndë për sigurinë rajonale, për paqen dhe qëndrueshmërinë ndërkombëtare."

Ai tha se "veprimet provokuese dhe destabilizuese të Koresë së Veriut i kanë shërbyer vendit të izoluar për të varfëruar popullin duke ndjekur rrugën e prodhimit të armëve bërthamore dhe të raketave balistike."

Një folëse e televizionit shtetëror të Koresë së Veriut lexoi deklaratën e Institutit të Kërkimeve për Armët Bërthamore, i cili konfirmonte se ishte kryer një provë e suksesshme për të vlerësuar aftësitë e një mbushjeje bërthamore, që tani mund të montohet në lloje të ndryshme raketash.

Shërbimi Gjeologjik amerikan dhe agjencitë evropiane e diktuan aktivitetin sizmik të premten, herët në mëngjes.

Pheniani nuk i kishte njoftuar paraprakisht planet e tij për të kryer provë bërthamore.

Në një takim urgjent në Seul, Kryeministri i Koresë së Jugut Hwang Kyo-ahn e quajti ngjarjen provokim:

"Qeveria jugkoreane dhe komuniteti ndërkombëtar dënojnë fuqimisht provokimin e papërgjegjshëm të Koresë së Veriut, që është shkelje e qartë e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe akt flagrant sfidues ndaj komunitetit ndërkombëtar."

Gjatë një takimi në Gjenevë për bisedime mbi Sirinë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov shprehën shqetësim të madh:

"Natyrisht, Japonia dhe Korea e Jugut janë veçanërisht të shqetësuara, por mendoj se është e drejtë të thuhet se edhe Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njëjtat shqetësime,” tha sekretari Kerry.

"Po shkoj për të biseduar me ministrin e Jashtëm japonez Fumio Kishida. Ne jemi shumë të shqetësuar. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit duhet të zbatohen dhe ne do të dërgojmë me shumë forcë këtë mesazh,” tha ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov.

9 shtatori shënon 68 vjetorin e themelimit të Koresë së Veriut dhe Pheniani në të kaluarën i ka kremtuar festat e rëndësishme me prova bërthamore dhe me lëshim raketash balistike. Koreja e Veriut ka kryer prova bërthamore në vitet 2006, 2009 dhe 2013.

Agjencia meteorologjike e Koresë së Jugut tha se prova e sotme krijoi një shpërthim prej 10-kilotonësh, gati dy herë më të fuqishëm se sa prova bërthamore e muajit janar, por diçka më pak se bomba e Hiroshimës, që ishte rreth 15 kilotonë.

XS
SM
MD
LG