Lidhje

Ora me zile që ju zgjon me aroma të këndshme


Për ata që pinë kafe, nuk quhet se ka filluar dita pa të paktën, nuhatjen e aromës së saj. Tani ka një orë me zile që mund të çlirojë atë aromë të këndshme, edhe pa pirë filxhanin e parë të kafes.

Në vend të tingujve të bezdisshëm të zileve, tani ekziston Sensorwake, një orë me zile që lëshon aroma të ndryshme në ajër për t’ju zgjuar pak nga pak.

Shpikësi francez, i cili thotë se i urren mëngjeset, ndërtoi prototipin në garazhin e tij disa vjet më parë.

“Ne përdorim rruaza polimeri në kapsulën me aromat, dhe kur kalon ajri, i përhap ato, sepse kalon nëpër kapsula, dhe pastaj aromat arrijnë në shtratin e njerëzve,” thotë Guillaume Rolland.

Aroma si, kafe ekspres dhe karamele mente zgjasin rreth 15 minuta.

“Futet kapsula në orën me zile, me aromën që dëshironi, për shembull, nenexhik, dhe përhapet era dhe në tre minuta ajo do të jetë aq e fortë sa do t’ju zgjojë, por me një humor të mirë dhe me aromën tuaj të preferuar” thotë shpikësi.

Përdoruesit gjithashtu mund të zgjedhin erën e bukës së thekur, të kakaos dhe madje edhe aromën e bregdetit. Secila kapsulë mund të përdoret 30 herë.

Shqisa jonë e nuhatjes në fakt mbyllet gjatë gjumit, por aromat e forta zgjojnë shumicën e njerëzve brenda disa minutash. Po nëse disa njerëz nuk zgjohen dor nga aroma?

“Nëse keni, për shembull, hundë e bllokuar ose jeni në gjumë shumë të thellë, pas tre minutash fillon një melodi” thotë shpikësi.

Kompania Sensorwake thotë se ora e re do t’ju sjellë emocione të këndshme dhe kujtime të ëmbla çdo mëngjes.

XS
SM
MD
LG