Lidhje

Ajri i papastërt, vdekjeprurës


Një studim i ri vë në dukje se ajri i papastërt është forma më vdekjeprurëse e ndotjes. Ai është shkaktari i katërt kryesor i vdekjeve të parakohshme. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua, kjo i kushton ekonomisë globale qindra miliarda dollarë çdo vit në orë pune të humbura.

Studimi i ri “Kostoja e Ajrit të Ndotur: Forcimi i Bindjes Ekonomike për Veprim”, është kryer nga Banka Botërore dhe Instituti i Matjes dhe Vlerësimit të Shëndetit.

Urvashi Narain, ekonomist i lartë për mjedisin në Bankën Botërore thotë se “Motivacioni kryesor i këtij raporti ishte të theksonte sfidën e ajrit të ndotur. Sa i përhapur është ai. Dhe gjithashtu të shtrohet cështja për veprim nga vendet. Ato nuk mund ta injorojnë këtë problem. Ato duhet të veprojnë”.

Studimi thekson se “rreth 90 për qind e popullsisë në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme, janë të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes së ajrit.”

“Kur themi ndotje e ajrit flasim për copëzat e vogla që janë rreth nesh në ajrin që thithim. Ka burime të ndryshme të këtyre copëzave që janë sa një e dhjeta e madhësisë së fijes së flokut të njeriut”, thotë ekonomisti i Bankës Botërore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e këtyre grimcave vijnë nga djegia e karburantit në industri, impiante të energjisë, makina dhe kamionë dhe furrat pjekëse.

Studimi thotë se në vitin 2013 “mbi 5 milionë njerëz gjetën vdekjen nga sëmundjet e lidhura me ajrin e ndotur jashtë dhe brenda shtëpive.”

Kanceri i mushkërive, azma, çrregullime kronike pulmonare dhe infeksione të rrugëve të frymarrjes, janë të lidhura me ajrin e ndotur. Ai mund të kotribuojë gjithashtu në sëmundjet kardiovaskulare. Ajri i ndotur mund të dëmtojë veçanërisht rëndë fëmijët pasi sistemi i tyre imunitar dhe mushkëritë nuk janë të zhvilluara plotësisht.

“Ndotja e ajrit është një rrezik jo vetëm për shëndetin, por edhe një pengesë për zhvillimin. Në nivel global ka një humbje prej 225 miliardë dollarësh në të ardhura nga puna, që lidhen me vdekjet e parakohshme të shkaktuara nga ajri i ndotur”.

Ekonomisti i lartë i Bankës Botërore për mjedisin thotë se vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme duhet ta trajtojnë këtë problem si pjesë të planeve të tyre të zhvillimit.

Disa rajone janë goditur më rëndë nga efektet e ndotjes së ajrit sesa të tjerat.

Raporti nuk jep rekomandime si të zgjidhet problemi i ajrit të ndotur. Ai e lë atë në duart e vendeve të veçanta të vendosim. Por raporti u bën thirrje këtyre vendeve të veprojnë me shpejtësi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG