Lidhje

Një hero i 11 shtatorit


Këtë të dielë mbushen 15 vjet nga sulmet terroriste në Nju Jork dhe Uashington kur humbën jetën rreth 3 mijë persona. Ndër të vrarët ishin anëtarë të ekipeve të reagimit të shpejtë në Nju Jork, të cilët vepruan me shpejtësi për të shpëtuar viktimat e sulmeve ndaj Kullave Binjake, por që humbën edhe vetë jetën gjatë shembjes së godinave. Kështu ndodhi edhe me punonjësin e policisë me origjinë ukrainase, John Skala, i cili shkoi tek Qendra Botërore e Tregtisë për të mos u kthyer më.

Kur avioni i parë Boeing me pasagjerë u përplas në kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë, ukraino-amerikania Irene Lesiw e dëgjoi lajmin në radion e makinës, ndërsa po shkonte në punë. Ajo nuk e dinte ende se terroristët do të përplasnin një avion të dytë në kullën jugore, apo se vëllai i saj, oficeri i policisë John Skala, ishte dërguar për të ndihmuar njerëzit.

Irene tregon fotografi të të vëllait dhe kujton se sa i lumtur ishte ai kur u bë punonjës policie.

“Ishte dita e më bukur e jetës së tij, por nuk e dinim se do të jetonte edhe vetëm tetë vite të tjera... Ishte aq i gëzuar atë ditë dhe e gjithë familja shkoi në ceremoninë e diplomimit.”

Vëllai i tij, Mike, dhe e gjithë familja, u befasuan kur morën vesh se John donte të bëhej polic.

“Ai donte të bëhej zjarrfikës, shofer kamioni, inxhinier. Donte gjithnjë të bëhej diçka. Por, kur u bë polic, ishte një shok për të gjithë familjen, edhe për mua...”

Pas kishin ndodhur sulmet, Mike iu përgjigj telefonatës së policisë, kur u njoftua se Johnny ishte ndër ekipet e para të reagimit të shpejtë që u dërguan tek Kulla Binjake, dhe se tashmë nuk gjendej më.

Javët në vazhdim u shndërruan në një sprovë të rëndë për familjen Skala. Ata vazhdonin të shpresonin se Johnny do të kthehej në shtëpi.

“Fatkeqësisht, nuk pati eshtra të tij. Asgjë. As ora apo unaza e tij.”

John ishte kunguar për herë të parë në këtë kishë në Passaic, të Nju Xhersit. Në po këtë kishë u mblodhën familja, kolegët dhe miqtë e tij 40 ditë pas tragjedisë.

Mike tregon se bashku me të shoqen koleksionin e sendeve që kanë mbledhur gjatë viteve në kujtim të John-it. Në katin përdhes të shtëpisë së tij, ai shikon kaseta të vjetra të vëllait të tij.....ose thjesht qëndron në heshtje, siç qëndronte pranë kullave të shkatërruara.

“Shkoja atje natën. Kur nuk kishte asnjeri rrotull. Pa media, pa gazetarë. Thjesht shkoja dhe kaloja tërë kohën time atje. Flisja me vete ose i flisja tim vëllai.”

Mike thotë se dhimbja nuk i është pakësuar gjatë këtyre 15 viteve dhe se nuk i janë shuar kujtimet. Ai thotë se është mirë t’i ruash ato si të shtrenjta, por duhet parë drejt të ardhmes. Të kujtojmë dhe të jetojmë., thotë ai.

XS
SM
MD
LG