Lidhje

Clinton anulon takimet e fushatës në Kaliforni


Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton, nuk do të bëjë fushatë sot ose nesër në shtetin perëndimor të Kalifornisë, pas diagnostikimit me pneumoni.

Një zëdhënës njoftoi mbrëmë vonë se ajo nuk do ta bëjë udhëtimin e planifikuar më parë, që do të përfshinte takime për mbledhje fondesh dhe një fjalim për ekonominë.

Fushata e zonjës Clinton tha se ajo ishte ekzaminuar nga një mjek të premten për shkak të një kolle të zgjatur dhe i ishte thënë se kishte pneumoni. Mjekët i dhanë antibiotikë dhe e këshilluar të pushonte dhe të ndryshonte kalendarin e aktiviteteve.

Por diagnoza u bë e ditur vetëm të dielën, kur ajo shfaqi shenja marrje mendsh në një ceremoni përkujtimore për 11 shtatorin në Nju Jork. Ajo u largua papritur nga ceremonitë dhe një video e tregonte duke u ndihmuar nga të tjerë për të hipur në makinë, ndërkohë që u pengua dhe dukej sikur do të rrëzohej.

Mjekja e zonjës Clinton tha më vonë ajo kishte dehidratim, por po shërohej pa probleme.

Kandidatja 68-vjeçare më pas doli nga banesa e së bijës, Chelsea, dhe përshëndeti me dorë mbështetësit.

"Ndihem shumë mirë, është një ditë e bukur në New York", - tha zonja Clinton, duke u larguar drejt makinës së saj.

XS
SM
MD
LG