Lidhje

Dibër, fiton kandidati i PS


Reagon Basha: U asgjësua procesi politik. Fitoi karteli i krimit. Kryeministri Rama reagon në Facebook: Fjalët e tepërta janë vërtet fukarallëk, nën dritën e rezultatit kuptimplotë të zgjedhjeve të Dibrës

Kandidati i shumicës së majtë në garën për kreun e Bashkisë së Dibrës, Muharrem Rama, siguroi një fitore bindëse me 18597 (56.3%) vota ndaj rivalit të tij demokrat Sherefedin Shehu, i cili mori 14435 (43.7%)vota. Kjo është fitorja më e thellë që e majta ka rritur në këtë zonë, e cila ndër vite konsiderohej një bastion i së djathtës. Vitin e kaluar e majta mori kreun e Bashkisë me një rezultat me pak më shumë se 400 vota diferencë.

Por për opozitën shqiptare gara e Dibrës ishtë “asgjësim i procesit politik”. Sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha “në Dibër nuk pati zgjedhje politike, por përplasje mes qytetarëve të bashkuar me opozitën dhe Kartelit të Drogës, Krimit dhe Korrupsionit. Fatkeqësisht në këtë përplasje fitoi karteli i krimit dhe humbi politika. Ose më saktë në Dibër u asgjesua krejtësisht procesi politik. Sot në Dibër nuk humbi vetëm një parti politike, por humbi Shqipëria, humbi politika e ndershme, humbi liria, humbi dinjiteti njerëzor, humbën vlerat europiane”. Sipas zotit Basha qytetarët e Dibrës u bënë viktima të blerjes së votës dhe trysnisë së pushtetit: “në Dibër humbën edhe të varfrit që u joshën nga paratë e krimit, korrupsionit dhe drogës, humbën edhe ata që u trembën para presionit të pushtetit, kriminelëve të veshur me pushtet, segmenteve të policisë të bëra njësh me krimin, humbën edhe ata që nuk menduan për të nesërmen por panë vetëm përfitimin e momentit. Ky kartel shfrytëzoi mjerimin, varfërinë, humbjen e shpresës së njerëzve për t’u rrëmbyer atyre votën. Dikujt me para, dikujt me kanabis, dikujt me premtime, dikujt me presion”, deklaroi zoti Basha në një dalje para shtypit në mbrëmje.

Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në Facebook. “Fjalët e tepërta janë vërtet fukarallëk, nën dritën e rezultatit kuptimplotë të zgjedhjeve të Dibrës! I falenderoj me gjithë zemër, një për një, të gjithë zgjedhësit dibranë, për besimin e jashtëzakonshëm që na dhanë, përmes votës për kryebashkiakun Muharrem Rama. Dhe dëshiroj të nënvizoj se këtë fitore të madhe, unë e lexoj mbi të gjitha si një detyrim shumë të madh ndaj dibranëve”, shkroi kryeministri.

Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pas shkarkimit nga detyra të kryebashkiakut të mëparshëm Shukri Xhelili i cili u përfshi në një skandal, ku në në këmbim të punësimit, u shfaq teksa kërkonte favoreve seksuale. Dita e votimit u vlerësua përgjithësisht e qetë, pavarësisht incidenteve dhe tensioneve që shoqëruan thuajse të gjithë fushatën.

Zgjedhjet në Dibër u kthyen një fushë beteje të ashpër politike mes dy kampeve kryesore në vend. Ndonëse një Bashki relativisht e vogël ajo mori një vëmendje të pazakontë, ndërsa dy koalicionet në garë angazhuan eksponentët e tyre më të lartë në mbështetje të kandidatëve. Kur vendi ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të qeverisë së kryeministrit Rama, vota në Dibër mori trajtat e një prove force.

Veçanërisht e djathta në opozitë, i kushtoi një vëmendje dhe interes të madh, gjë e cila u duk që në përzgjedhjen e kandidatit të saj, Sherefedin Shehu, deputet, ish zëvendësministër i Financave dhe një figurë e njohur e demokratëve.

Angazhimi i fortë politik i të dy koalicioneve në garë rriti tensionin ndërsa palët shkëmbyen akuza të shpeshta për blerje vote, apo ushtrim dhune e trysnie ndaj votuesve. Pak ditë më parë një administrator lokal socialist u bë pre e dhunës nga përfaqësues të së djathtës, siç deklaroi ai vetë, ndërkohë që palët dhanë variante të ndryshme për ngjarjen.

Opozita ka hedhur akuza për përfshirjen e policisë por dhe elementëve kriminal nga ana e së majtës, ndërkohë që kjo e fundit ka deklaruar se është e djathta e cila ka angazhuar struktura të posaçme të cilat kanë ushtruar trysni ndaj zgjedhësve. Në orët e fundit para votimit të së dielës, sipas demokratëve u kapur në flagrancë nga banorët një zyrtar i tatimeve duke shpërndarë para. Ndërkohë që një qytetar ka denoncuar ish ministrin e Brendshëm Flamur Noka se ka ushtruar dhunë ndaj tij ndërsa ishte dhe i armatosur. Policia nga ana e saj tha se makina në të cilën sipas personit të dhunuar lëvizte deputeti Noka, nuk i ka ndaluar postobllokut të policisë. Përfaqësuesi demokrat i hodhi poshtë akuzat.

Ndërkohë gjatë ditës së votimit palët bënë sërish përgjegjëse njëra tjetrën për trysni ndaj votuesve duke denoncuar secila dhe raste të fotografimit të fletës së votimit. Ky fenomen është konstatuar dhe nga koalicioni i vëzhguesve vendor, i cili ka përmendur dhe raste të votimit familjar apo problematika të tjera gjatë procesit.

Në Përfundim të procesit të numërimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se “vlerëson se procesi i votimit dhe ai i numërimit të fletëve të votimit, u zhvillua i qetë dhe korrekt, komisionerët treguan përgjegjshmëri në respektimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor”.

XS
SM
MD
LG