Lidhje

Obama, fushatë për kandidaten Clinton


Presidenti Barack Obama bën sot fushatë për ish Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, ndërsa ajo po pushon për t’u shëruar nga pneumonia.

Zoti Obama do të flasë në Filadelfia ku do të marrë pjesë në një aktivitet për grumbullim fondesh për partinë demokrate.

Zonja Clinton i tha mbrëmë kanalit CNN se pret të rifillojë fushatën gjatë kësaj jave. Stafi i saj ka thënë se bëri gabim që nuk e publikoi më parë diagnozën e saj, që u përcaktua të premten, dy ditë para se zonja Clinton të largohej papritur nga ceremonitë në Nju Jork për shkak të shëndetit.

"Nuk mendova se do të ishte e rëndësishme” tha dje zonja Clinton.

Kandidatja Clinton dhe kundërshtari i saj republikan Donald Trump kanë premtuar të publikojnë së shpejti informacionet për shëndetin e tyre.

Kandidati republikan kritikoi dje rivalen e tij për deklaratën e javës së kaluar, në të cilën ajo e quajti “një turmë mjeranësh” gjysmën e përkrahësve të zotit Trump.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG