Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe sondazhet

  • Zllatica Hoke

Më pak se dy muaj para ditës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, kandidatja demokrate për presidente, Hillari Klinton vazhdon të ketë një avantazh ndaj rivalit të saj republikan, Donald Trump në shumicën e sondazheve kombëtare. Por shanset e zotit Trump për të fituar mund të jenë në rritje. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se sondazhet mund të ndryshojnë shumë herë para zgjedhjeve të nëntorit.

Vetëm disa javë më parë fushata zotit Trump dukej se ishte në vështirësi. Por që atëherë, kandidati republikan ka fituar disa pikë në shtetet e pavendosura, tha për Zërin e Amerikës Tim Malloy, eksperti i sondazheve.

"Në Florida, Karolinën Veriore, Pensilavani dhe Ohajo gara është tepër e ngushtë. Kandidatët duhet të fitojnë këto shtete për të fituar zgjedhjet.Nuk është e sigurt se kush do t’i fitojë zgjedhjet. Votuesit duhet ta kuptojnë se është një garë shumë e ngushtë, me kandidatë të paqëndrueshëm dhe polarizues, dhe kjo mund të ndryshojë rrënjësisht nga dita në ditë".

Kandidatët Trump dhe Clinton kanë një bazë besnike, por shumë votues vazhdojnë të jenë të pavendosur. Zoti Malloy thotë se debatet e ardhshme, sidomos ai i pari më 26 shtator, do të ndihmojnë shumë prej tyre të vendosin.

"Ne u bëjmë pyetje votuesve si kush do të ishte më i mirë në menaxhimin të armëve bërthamore? Cili do të trajtonte më mirë një krizë ndërkombëtare? Emigracionin? Këto janë pyetjet ekzistenciale. Kush do të kujdeset për nevojat e familjes suaj dhe për mbrojtjen tuaj? Këto janë pyetjet të cilave duhe t’i kushtohet vëmendje pas publikimit të sondazheve. Por në fund, debatet do të jenë ato që do të kenë ndikim të madh."

Pneumonia e ka detyruar zonjën Clinton të anulojë aktivitetet e saj të planifikuara në Kaliforni, duke ngritur pyetje në lidhje me shëndetin e saj të përgjithshëm, por kjo nuk ka të ngjarë të ndikojë në fushatën e saj.

"Shpresoj se ajo nuk do ta përdor këtë si një justifikim, por unë nuk mendoj se kjo do të ketë ndikim të madh mbi të", thotë një votuese nga Nju Jorku

"Çdokush mund të preket nga pneumonia. Njerëzit duhet të shikojnë se me sa intensitet ajo po bën fushatë e jo sëmundjen. Kjo tregon se ajo është duke punuar shumë në përpjekjet për t’u treguar njerëzve se çfarë dëshiron të bëjë për vendin", thotë një tjetër votues.

Sondazhet japin një pasqyrë afatshkurtër të drejtimit të fushatës, thotë Malloy. Prirja që duhet ndjekur nga afër është nëse zoti Trump mund të marr mbështetje nga gratë, afrikano-amerikanë dhe hispanikët, apo nëse zonja Clinton do vazhdojë të ruaj epërsinë me këto grupe votuesish.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG