Lidhje

Zgjedhjet në Amerikë dhe vendet e punës

  • Mil Arcega

Ekonomistët thonë se pasiguria për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale mund të jetë duke e dëmtuar ekonominë amerikane. Pavarësisht përmirësimit të tregut të punës, duket se punësimi është ngadalësuar, po ashtu edhe rritja e pagave. Me afrimin e zgjedhjeve, analistët thonë se bizneset mund të fillojnë të punësojnë me ritme më të larta kur të kenë një pasqyrë më të qartë për drejtimin ekonomik të vendit.

Bizneset duan siguri. Nga një studim i ri i Shoqatës Kombëtare të Ekonomistëve të Bizneseve del se fushata zgjedhore pa një rezultat të qartë po i streson kompanitë. Dhe ja përse, sipas zëdhënësit të shoqatës Lavaughn Henry .

"Bizneseve u pëlqen të jenë në gjendje të parashikojnë: sa do t’i kenë taksat vitin e ardhshëm, çfarë rregullash të reja do të ketë gjatë vitit në vazhdim. Pa një kandidat të qartë, pasiguria rritet,” thotë zoti Henry.

Analistët pajtohen se disa biznese veprojnë me më shumë kujdes gjatë vitit zgjedhor. Por me një kusht.

“E kam të vështirë të besoj se nëse një punëdhënës sheh se ka kërkesë të mjaftueshme për produktet apo shërbimet që ata ofrojnë, nuk do të shtojë fuqinë punëtore thjesht për shkak të afrimit të zgjedhjeve,” thotë Mark Hamrick, i kompanisë së shërbimeve financiare, Bankrate.

I pyetur për të vlerësuar kandidatët kryesorë, Komiteti për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm thotë se as platforma e kandidatit Trump, dhe as ajo e zonjës Clinton, nuk trajton çështjet tona më të rëndësishme ekonomike. Presidentja e komitetit Maya MacGuineas thotë se të dyja fushatat nuk trajtojnë çështjet e borxhit, të pabarazisë në të ardhura dhe të shërbimeve sociale.

“Kjo është sigurisht një situatë ku asnjëri nuk i afrohet notës 10, dhe mezi do të kalonin testet që kemi për ligjet fiskale” thotë ajo.

Disa biznese ndoshta janë në pritje të rezultatit të zgjedhjeve, por sipas ekspertes Sharon Miller, në disa çështje qëndrimet ndahen thjesht mbi baza gjinore.

“Ka pasiguri. Megjithatë, kur analizon disa nga çështjet që diskutohen gjatë fushatës, si paga minimale, gratë punëdhënëse janë shumë më tepër pro ngritjes së pagës minimale sepse mendojnë se kjo do të ketë një ndikim pozitiv në ekonomi,” thotë zonja Miller.

Punëdhënësit shtuan vetëm 155 mijë vende pune në muajin gusht. Kjo është shumë më pak se sa dy muajt e fundit – gjatë të cilëve pamë një rritje mesatare prej rreth 270 mijë vendesh të reja pune në qershor dhe korrik.

XS
SM
MD
LG