Lidhje

Pikëpyetje mbi avionin e bllokuar në Ishëm


Zyrtarisht piloti italian po hetohet për shkelje të hapësirës ajrore. Prokuroria shoqëroi mbrëmë gazetarin Artan Hoxha për nxjerrje të sekretit hetimor, pas deklaratave se piloti kishte pranuar lidhjen me trafikun e lëndëvë narkotike. Polemika mes opozitës dhe Ministrisë së Brendshme

Ngjarja për avionin e bllokuar dje në mëngjes mori një zhvillim të papritur mbrëmë kur nga studio e emionit Opinion në TV Klan, gazetari investigativ i NEWS 24, Artan Hoxha deklaroi se sipas tij piloti italian ishte “dorëzuar” dhe kishte rrëfyer se fluturimi i tij dhe ulja në fushën në zonën e Ishmit kishte si synim njohjen e terrenit në mënyrë që pas disa ditësh ai të rikthehej për të ngarkuar një sasi prej 200 kilogramësh marijuhanë. Menjëherë pas emisionit gazetari Hoxha është shoqëruar nga prokurorët e Krimeve të rënda të cilët kanë marrë në dorë çështjen, pasi sipas tyre gazetari ka nxjerrë sekretin hetimor duke e bërë publik atë. Në këtë mënyrë prokuroria konfirmoi praktikisht vërtetësinë e lajmit të dhënë nga gazetari Hoxha. Ky i fundit, pasi doli nga prokuroria në orët e para të mëngjesit, nënvizoi të njejtën gjë: “Debati ka qenë për atë se, siç më komunikuan, unë kam thënë një të vërtetë që është aq e vërtetë sa unë nuk duhet të ishte publikuar”.

Pikepyetje mbi avionin e rrezuar me Ishem
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Gazetari Hoxha shtoi se ai vetë nuk kishte pranuar të tregonte burimin e informacionit. Prokurorët ndërkohë i kanë sekuestruar dy telefonat celular që ai ka në zotërim, pasi gazetari nuk pranoi që t’u shfaqte listën e kontakteve telefonike dhe të mesazheve që ai kishte shkëmbyer me persona të ndryshëm gjatë ditës së djeshme.

Zyrtarisht piloti italian Guido Andrea Guidi, i arrestuar 10 vite më parë në Italia për korrupsion të zyrtarëve publik, është nën hetim për “shkelje të paligjshme të hapësirës ajrore”, ndërsa njoftimet për vendndodhjen e tij janë kontradiktore. Fillimisht u fol se ishte dërguar në një hotel në qytetin e Durrësit dhe më pas se është në një vendndodhje të fshehtë për të cilën kanë dijeni vetëm prokurorët e çështjes. Të gjitha këto zhvillime lënë të kuptojnë për një përplasje mes institucioneve, dhe dyshimeve nga ana e prokurorisë për dekonspirim të hetimeve nga ana e policisë. Për bllokimin e avionit në Ishëm policia doli me deklaratë dje pasdite, ndonëse kishte marrë njoftim që në orët e para të mëngjesit, dhe vetëm pasi për ngjarjen foli në parlament ish ministri i Brendshëm Flamur Noka, deputet i opozitës.

Edhe sot zoti Noka akuzoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se kishte nxjerrë të dhënat e hetimit: “Saimir Tahiri u kap mbrëmë në shërbim ndaj kartelit të drogës. Ai i dërgoi fjalë trafikantëve se italiani ka filluar të flasë, duke i këshilluar ata që të lëvizin, të marrim masa, të largohen, ti shpëtojnë ligjit. Është pikërisht Saimir Tahiri njeriu që nxori lajmin mbrëmë se piloti italian i rënë me avion në Ishëm, ka nisur të rrëfejë se kishte ardhur për të transportuar drogë e të tregojë porositësit. Saimir Tahiri ka nxjerrë sekretin hetimor, ka prishur hetimet”.

Ministria e Brendshme reagoi menjëherë dhe me të njejtën monedhë, duke ngritur pyetjen se “për cilën arsye Flamur Noka doli në Kuvend dhe bëri botën me dije për rrëzimin e avionit, një çështje për të cilën Policia e Shtetit dhe Prokuroria kishin nisur një hetim? Për cilën arsye Flamur Noka bëri publik hetimet mbi avionin?”. Në deklaratën e Ministrisë dalloheshin edhe notat e përplasjes me prokurorinë, ndërsa theksohej se nëse deputeti Noka “është në rolin e tellallit, atëherë le të tregojë se cili është prokurori që i ka dhënë këtë informacion. Në qoftë se Flamur Noka është në rolin e dëshmitarit, atëherë le të paraqitet në Prokurori dhe të depozitojë të gjithë të dhënat që ka, në lidhje me këtë ngjarje”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Dyshimet se avioni mund të kishte lidhje me një përpjekje për trafik të lëndëve narkotike, lindën që në momentet e para. Deklaratat e pilotit italian për arsyet e fluturimit mbi Shqipëri dhe difektin në avion nuk u konsideruan bindëse, ndërkohë që dyshimet u përforcuan kur fusha ku ai tentoi të ulej, larg zonave të banuara, ishte sheshuar dhe i ngjante një piste të gatshme për ulje avionësh të vegjël.

XS
SM
MD
LG