Lidhje

Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së


Javën e ardhshme, udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Nju Jork për takimin vjetor të asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Lufta në Siri dhe kriza e refugjatëve pritet të dominojnë axhendën e punimeve.

Udhëheqësit botërorë duan të kufizojnë efektet e luftës në Siri, në veçanti eksodin e refugjatëve drejt vendeve fqinje dhe drejt Evropës. Ata do ta diskutojnë këtë çështje në dy takime të veçanta për refugjatët. Kreu i OKB-së, Ban Ki-moon, do të drejtojë takimin e parë ditën e hënë.

“Më shumë vende duhet të rehabilitojnë njerëzit e zhvendosur nga lufta. Më shumë vende duhet të pranojnë efektet pozitive të emigracionit. Dhe të gjithë, kudo, duhet të kundërshtojnë armiqësinë me të cilën përballen shumë refugjatë, emigrantë dhe minoritete.”

Presidenti Barack Obama do të drejtojë takimin e dytë ditën e martë.

“Presim që takimi të sjellë angazhime të reja të qëndrueshme për nevojat humanitare të OKB-së, programet e rivendosjes së refugjatëve dhe mënyrat alternative për pranimin e tyre të ligjshëm.”

Ka megjithatë skepticizëm nëse takimi do të mundet të përmirësojë situatën e rreth 5 milionë sirianëve që janë larguar nga vendi i tyre.

“E vetmja mënyrë me të cilën mund të zgjidhet kriza siriane është nëpërmjet një marrëveshjeje politike. Jam i sigurtë që do të flitet për këtë në Asamblenë e Përgjithshme, por Vladimir Putin nuk do të vijë në Nju Jork dhe pa të nuk mund të ketë bisedime serioze për Sirinë.”

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakort këtë muaj për një marrëveshje armëpushimi dhe ndihmash humanitare në Siri. Dy vendet synojnë gjithashtu të godasin terroristët, përfshirë të ashtuquajturin Shteti Islamik. Suksesi apo dështimi i kësaj marrëveshjeje do të ndikojë diskutimet në Nju Jork.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet në një sesion të nivelit të lartë ditën e mërkurë për të rikthyer vëmendjen tek Siria, por pritshmëritë për rezultate janë të ulëta.

“Realiteti është se vendimet për Sirinë merren në Uashington, Moskë dhe Iran, jo në sallën e Këshillimit të Sigurimit.”

Pjesa tjetër e javës do të dominohet nga fjalimet e udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme.

Do të mungojnë disa emra të rëndësishëm, si Vladimir Putin, Xi Jinping dhe Angela Merkel. Kjo do të jetë pjesëmarrja e fundit në një takim ndërkombëtar për Presidentin Obama, dhe fjalimi i tij pritet të përforcojë më tej trashëgiminë e tij në marrëdhëniet shumëpalëshe.

Kjo do të jetë edhe asambleja e fundit e përgjithshme për Ban Ki-moon si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së. Ai përfundon mandatin dhjetëvjeçar më datë 31 dhjetor.

XS
SM
MD
LG