Lidhje

Arrestohet polici grek i përfshirë në trafikun e marijuanës shqiptare


Një polic grek që shërbente si roje kufitare afër zonave me Shqipërinë u arrestua pasi akuzohet se iu gjet 125 kg hashash dhe dy armë kallashnikov. Sipas burimeve zyrtare të policisë greke, për të njëjtin rast, u arrestua dhe një 47 vjecar grek, pronar i një biznesi materialesh ndërtimi, me të cilin bashkëpunonte polici.

Policia greke tha se po heton edhe persona të tjerë, anëtarë të dyshuar të rrjetit të trafikimit të drogës nga kufiri greko shqiptar në drejtim të Selanikut dhe Kavallës. Sipas burimeve zyrtare polici 40-vjeçar grek u arrestua mesditën e së merkures tek u bllokua nga Forcat e Antidrogës së Kosturit, qytet kufitar me Korcën, ne Juglindje të Shqipërisë.

Gjatë kontrollit atij iu gjetën katër çanta me peshë 125 kg hashash. Pas kontrollit të banesës,sipas burimeve greke policit iu gjetën edhe dy armë kallashnikovë, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dhe një sasi kartmonedhash euro. Sipas burimeve policore greke polici pranoi se e kishte marrë lëndën narkotike nga kufiri shqiptar. Nga burimet policore është mësuar se polici i arrestuar u ka pohuar kolegëve se kishte kryer tre muajt e fundit katër dërgesa të tjera të drogës, ndërsa "paguhej " për çdo rrugë 1.000 euro.

Polica greke, në një njoftim tjetër, tha se arrestoi një 49 vjecar grek, sportist veteran, i cili po transportonte nga stacioni udhëtareve i Elefsinës në Athinë një sasi hashashi me prejardhje nga Thesprotia, zona kufitare me Shqipërinë.

Policia greke tha se sasia e lëndës narktoike ishte 118 kilogramë dhe për rastin u arrestua dhe një bashkëpuntor i tij. Një tjetër sasi prej 56 kilogramë hashash ishte bllokuar tre ditë më parë nga Policia e Gumenicës, qytetit në Veri të Greqisë, fqinj me Shqipërinë. Policia greke ka shprehur kohët e fundit shqetësimin se me lëndët narkotike po depërtojnë edhe lloje të forta të drogës.

Një sasi e vogël kokaine u gjet dje nga Policia e Janinës në mjetin me të cilin udhëtonin dy shtetas shqiptarë, të cilët u arrestuan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG