Lidhje

Trump e pranon: Obama ka lindur në SHBA


Pas 5 vjetësh që kishte pohuar të kundërtën, zoti Trump, e pranoi sot se Presidenti Obama ka lindur në fakt në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2011, Donald Trump ishte forca kryesore nxitëse pas një lëvizjeje që mbronte tezën se Presidenti Obama nuk kishte lindur në Shtetet e Bahskuara, duke trumpetuar pa shumë prova teorinë se Barak Obama kishte lindur jashtë vendit dhe për pasojë nuk ishte president i ligjshëm. Që atëhere, Donald Trump kishte refuzuar të thoshte hapur se cili ishte mendimi i tij për vendlindjen e presidentit Obama. Por sot ai i dha fund paqartësisë dhe e pranoi pa mëdyshje këtë fakt.

Sot, në një aktivitet për fushatë, zoti Trump ia vuri fajin rivales Hillary Clinton që e kishte hapur ekzagjeruar këtë çështje.

Pritet që pohimi i kandidatit republikan ta vënë atë përballë kritikave si një kandidat që nuk mund të merret seriozisht për gjerat e tjera që thotë, kur ai ndryshon qëndrim dhe i përmbys ato që ka thënë më parë.

Rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, në ditën e saj të dytë të rikthimit në fushatë që pas problemeve shëndetësore nga pneumonia më 11 shtator, u shpreh sot me tone shumë kritike ndaj kandidatit republikan

“Për 5 vjet Trumpi ishte në krye të lëvizjes që mohonte vendlindjen e presidentit Obama, në përpjekje për të deligjitimuar presidentin e parë afrikano-amerikan në Shtetet e Bashkura. Fushata e tij bazohej në një gënjeshtër absurde”. “Trumpi, ushqen gjithë zërat racistë dhe intolerantë në vendin tonë. Barack Obama ka lindur këtu dhe Donald Trumpi e ka për borxh t’i kërkojë falje atij dhe popullit amerikan”.

Donald Trump e bëri pohimin për vendlindjen e presidentit vetëm pak metra larg Shtëpisë së Bardhë, në qendër të Uashingtonit ku ndodhet hoteli i tij i ri Trump International.

Presidenti Obama u tha sot gazetarëve se ai nuk ka ndërmend të merret, ose komentojë mbi këtë çështje, duke shtuar se “unë e di se ku kam lindur, të tjerët po ashtu e dinë dhe shpresoj që zgjedhjet presidenciale të merren me çështje më serioze se kjo”.

Saga e vendlindjes së Presidentit Obama duket se po mbyllet, ndërsa anketat e fundit mbi zgjedhjet presidenciale tregojnë se dy kandidatët Trump – Clinton gëzojnë mbështje thuajse të barabartë dhe se një kandidat i tretë mund të ndikojë në ndryshimin e garës.

Donald Trumpi, pas ndalesës në Uashington shkon në Florida ku anketat tregojnë se ai po e rrit epërsinë ndaj rivales demokrate. Sonte në mbrëmje zoti Trump merr pjesë në një tubim në Majami, të dielën shkon në Fort Majers.

Zonja Klinton po bën tani përpjekje për të tërhequr mbështetjen e votuesve të zhgënjyer që anojnë nga kandidati i Partisë Libertariane Gary Johnson, ose nga kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein. Përkrahësit e tyre, kryesisht të rinj, jetojnë në shtete që po kalojnë vështirësi ekonomike në masë të madhe si rezultat i mbylljes së objekteve të prodhimit industrial.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG