Lidhje

Teknologjia e makinave pa shofer


Shumë ekspertë thonë se fillimi i përdorimit të makinave pa shofer në shkallë të gjërë është i afërt, por askush nuk e di saktësisht se kur mund të ndodhë kjo. Pothuajse të gjithë prodhuesit e mëdhenj të makinave dhe disa nga gjigandët e tjerë të teknologjisë kanë nxjerrë në rrugë makina eksperimentale pa shoferë. Ajo që duket se mungon është aftësia kompjuterike e makinave që mundëson reagimin e tyre në situata të komplikuara gjatë lëvizjes së përditshme.

Makinat pa shofer janë vërtet automjetet e shekullit 21.

Edhe pse ideja për prodhimin e tyre ka ekzistuar që nga vitet 1930, vetëm përparimi i shpejtë i teknologjisë dhe rënia e çmimit të pajisjeve të sofistikuara u kanë mundësuar studiuesve të fillojnë prodhimin e makinave eksperimentale.

Ekspertët thonë se tani pyetja kryesore është se kur do të prodhohen makina pa shofer me kosto të përballueshme, e jo thjesht prodhimi i tyre. Megjithatë, ka ende disa pengesa.

Studiuesit në Universitetin Carnegie Mellon në Pitsburg kanë bërë prova me një furgon pa shofer të tipit Cadillac, që përshkoi pa probleme rrugën nga një shtëpi në periferi deri te aeoroporti i qytetit.

Por drejtuesi i këtij studimi, Profesor Raj Rajkumar, thotë se lëvizja e këtyre makinave brenda qytetit është çështje tjetër:

"Trafiku rreth universitetit mund të jetë shumë i rënduar, me lloje të ndryshme makinash, këmbësorë, çiklistë dhe njerëz që kalojnë rrugën jashtë kryqëzimeve e kështu me radhë."

Çdo vit më shumë se 1 milion njerëz vdesin dhe 15 milionë të tjerë plagosen nga aksidentet me makina, 90 për qind e të cilave shkaktohen nga njerëzit. Ekspertët thonë se makinat pa shoferë do të pakësonin në mënyrë dramatike këto shifra pasi ato do të respektonin kufizimet e shpejtësisë, shenjat rrugore dhe semaforët.

Audi, Tesla, Mercedes dhe kompani të tjera ofrojnë modele të makinave që mund të operojnë pa shofer, që mund të shmangin përplasjet dhe që reduktojnë stresin e ngarjes së makinës në autostradë.

Një pengesë e madhe mund të jetë përpjekja për të bindur njerëzit që të heqin duart nga timoni. Por Rajkumar thotë se kjo në fakt nuk kërkon aq shumë kohë:

"Ata fillojnë ta shohin se automjeti është shumë racional dhe drejtohet në mënyrë të sigurtë, dhe kështu, mësohen."

Pra, pjesa më e madhe e teknologjisë tashmë ekziston. Ajo që kërkohet është ulja e çmimit të këtyre makinave dhe programe kompjuterike më të sofistikuara për kontrollin e tyre.

"Unë mendoj se do të duhen rreth 10 vjet, ndoshta më shumë, për prodhimin e një makine pa shofer e cila mund të shkojë kudo" thotë profesori Rajkumar.

Por Google, Uber dhe disa kompani të tjera thonë se ata tashmë janë duke u përgatitur për të ardhmen më të largët, duke eksperimentuar me makina pa timon, gjë që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si i përdorim makinat sot.

XS
SM
MD
LG