Lidhje

Nju Xhersi, kapet i dyshuari për bombat


Autoritetet në New York kanë kapur një 28-vjeçar të kërkuar në lidhje me një bombë që shpërtheu natën e së shtunës në Manhatan.

Sipas autoriteteve, Ahmad Khan Rahami, shtetas amerikan me prejardhje nga Afganistani, është kapur në qytetin Linden të Nju Xhersit pas një shkëmbimi zjarri.

Rrjeti CNN tregoi një video të një personi në barelë, që dukej se ishte i plagosur në shpatull dhe që po e hipnin në një ambulancë.

Policia ishte në kërkim të personave të dyshuar lidhur me katër incidente të tri ditëve të fundit që kishin lidhje me eksplozivë, duke përfshirë një shpërthim të shtunën mbrëma, që plagosi 29 vetë në lagjen Chelsea të Manhattanit.

Policia njoftoi se ishte në kërkim të Rahanit të hënën herët në mëngjes. Familja e tij kishte një restorant në katin e parë të shtëpisë.

Sipas mediave, arrestimi i tij erdhi pasi policia dërgoi një mesazh paralajmërimi me celular për miliona banorë të Nju Xhersit, duke i njoftuar të ishin në gatishmëri për personin e dyshuar, i cili përshkruhej nga autoritetet si i armatosur dhe i rrezikshëm.

Dy policë si dhe vetë i dyshuari u plagosën gjatë shkëmbimit të zjarrit. Autoritetet thanë se plagët e policëve ishin të lehta, ndërsa i arrestuari ishte dërguar për ndërhyrje kirurgjikale.

Dëshmitarët thanë se kishin parë policinë duke qëlluar drejt një personi që po ikte duke vrapuar. Njëri prej tyre tha se personi duket se ishte qëlluar më shumë se një herë.

Policia njoftoi se ishte në kërkim të Rahanit të hënën herët në mëngjes. Familja e tij kishte një restorant në katin e parë të shtëpisë.

Sipas zyrtarëve, shkëmbimi i zjarrit filloi rreth orës 10:30 paradite, kur një banor e diktoi Rahamin duke fjetur në hyrje të një klubi.

Sipas burimeve të policisë, një oficer iu afrua të dyshuarit, e zgjoi dhe vuri re se ai i ngjante personit të kërkuar.

Oficeri urdhëroi Rahamin të tregonte duart, por në vend të kësaj, i dyshuari nxorri një pistoletë dhe e qëlloi oficerin në bark. Plumbi goditi jelekun e sigurisë.

Nju Jorku në gatishmëri

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo tha se janë dërguar 1000 forca shtesë nga Garda Kombëtare për të patrulluar sistemin e metrosë në Nju Jork.=

Autoritetet thanë se të shtunën u zbuluan mjete të tjera në një çantë shpine të hedhur në një kosh plehrash në një stacion treni në qytetin Elizabeth të Nju Xhërsit, pranë Nju Jorkut.

Kryetari i Bashkisë së qytetit Elizabeth, Chris Bollwage tha se një nga mjetet shpërtheu kur policia po përpiqej ta çaktivizonte me robot. Zoti Bollwage tha se duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike të stacionit dhe vendin ku u gjet çanta, ka shumë të ngjarë që dikush e kishte hedhur për t’i shpëtuar policisë dhe jo sepse donte që shpërthimi të ndodhte në atë vend.

Shtatori në Nju Jork

Nju Jorku është tepër i ngarkuar në këtë kohë pasi qindra udhëheqës botërorë dhe figura të larta mblidhen për Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

Zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric tha për Zërin e Amerikës se zyrtarët analizojnë çdo ditë situatën e sigurisë brenda kompleksit të OKB-së.

“Jashtë portave situatën e kanë në dorë autoritetet e vendit ku ndodhemi, në nivel federal e lokal. Ne e vlerësojmë punën e tyre, pa dyshim; ata po bëjnë sa munden për të garantuar sigurinë e të gjithëve,” tha ai.

Banorja e lagjes Chelsea, Michelle Katz tha për Zërin e Amerikës se kishte rënë për të fjetur kur dëgjoi një zhurmë që ngjante si “një bombë që shpërtheu apo si përplasja e një kamioni me një ndërtesë. Dy minuta më pas filloi zhurma e sirenave,” tha ajo për Zërin e Amerikës.

Një tjetër dëshmitare, Denise Coles, tha se bomba shpërtheu kur ajo po futej në parkim. “Fika makinën dhe më pas u dëgjua shpërthimi. Në atë kohë pashë tym që ngrihej në fund të rrugës”.

"Jemi me fat që nuk ndodhi gjatë ditëve të javës, të hënën apo të martën, kur ka shumë lëvizje në atë zonë. Do të kishte pasur dy herë më shumë të lënduar,” tha Steven Faria, i cili punon në spitalin e veteranëve pranë zonës së shpërthimit.

XS
SM
MD
LG