Lidhje

Kandidatët presidencialë komentojnë shpërthimet në Nju Jork


This photo combo of file images shows U.S. presidential candidates Donald Trump, left, and Hillary Clinton.
This photo combo of file images shows U.S. presidential candidates Donald Trump, left, and Hillary Clinton.

Lufta kundër terrorizmit është një çështje e rëndësishme për votuesit në zgjedhje presidenciale këtë vjeshtë.Kandidatja demokrate Hillary Clinton foli të hënën duke siguruar votuesit se Amerika do të triumfojë, duke përmendurpërvojën e saj për sigurinë kombëtare.

“Jam e vetmja kandidate në garë që kam qënë pjesë e vendimeve të vështira për të shfarrosur terroristët. Kam parashtruar një plan bashkëkohor për të përballuar natyrën në zhvillim të këtij kërcënimi dhe për ta çuar luftën kundër ISIS-it kudo ku ata na kërcënojnë, përfshi online.”

Kandidati republikan Donald Trump përdori një ton ndryshe. Ai fajësoi për shpërthimin në Nju Jork atë që e quajti sistem të dështuar të imigracionit që lejon terroristët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

“Këto sulme dhe shumë të tjera u bën të mundura pasi sistemi ynë i imigracionit është shumë i hapur dhe ka dështuar në kontrollin e individëve dhe të familjeve që vijnë në këtë vend.”

Historiani Mathew Dallek, në universitetin George Washington thotë se lidhja e imigracionit me terrorizmin mund t’i japë Trumpit një temë diskutimi por mund të mos rezonojë me votuesit më të edukuar, që atij i duhen për të fituar zgjedhjet.

“Pyetja kryesore është në se kjo e ndihmon atë të zgjerojë elektoratin aq sa të mund të fitojë në vende si Florida, Pensilvania dhe Ohajo. Ai mund të fitojë në disa nga këto vende por nuk jam i sigurtë. Për shembull, shumica e vendit nuk është dakort me të për çështjen e imigracionit.”

Zoti Dallek thotë se retorika përçarëse e Trumpit pas sulmit terrorist në Orlando të Floridas ku u vranë 49 vetë në një klub homoseksualësh, nuk e ndihmoi atë. Ai thotë se publiku u përgjigj më shumë në favor të komenteve dhe tonit të Hillary Clintonit. Ai parashikon se përgjigja do të jetë e njëjtë pas shpërthimeve në Nju Jork.

“Hillary Clinton ka një histori të gjatë të kuptimit të nuancave të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare dhe ka një mendim të thellë për këto çështje. Ajo nuk ka patur gjithmonë të drejtë. Është një nga rreziqet që vjen kur je në detyrë për një kohë të gjatë, por qartësisht përsa i përket nivelit të përvojës dhe arritjeve të tyre, nuk ka të krahasuar.”

Komentet e të dy kandidatëve vijnë ndërsa hetuesit ende po kërkojnë motivin e sulmit. Zyrtarët nuk besojnë se i dyshuari 38 vjeçar Ahmad Khan Rahami, shtetas amerikan i lindur në Afganistan, ka qënë pjesë e një rrjeti më të madh. Ndërkohë ka njoftime se e shoqja e të dyshuarit është larguar nga Shtetet e Bashkuara disa ditë para shpërthimeve.

XS
SM
MD
LG