Lidhje

Të dhënat e të dyshuarit u dërguan në celularët e banorëve të Nju Jorkut


Sapo u identifikua i dyshuari për bombat në Nju Jork dhe Nju Xhersei, zyrtarët vunë në përdorim sistemin e lajmërimit të emergjencave përmes celularëve, i cili deri tani ishte përdorur vetëm për motin e keq apo për raste fëmijësh të zhdukur.

Ditën e djeshme, tingulli i alarmit për emergjencat publike u dëgjua në të gjithë celularët e banorëve të zonës.

Sipas gazetës New York Times, mesazhi i dërguar thoshte: “Kërkohet Ahmad Khan Rahami, mashkull, mosha 28 vjeç. Fotografia është publikuar në media. Telefonojini policisë nëse e shikoni.”

Mesazhi u dërgua pothuajse në të njëjtën kohë që kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, u shfaq në kanalin televiziv CNN për të njoftuar emrin e të dyshuarit.

Sistemi kombëtar i lajmërimit për emergjencat është përdorur zakonisht për të paralajmëruar për kushte të motit ekstrem, për raste fëmijësh të zhdukur, si dhe mund të përdoret nga Presidenti për të njoftuar popullsinë për emergjenca të ndryshme. Njerëzit mund të zgjedhin të mos marrin mesazhet për dy kategoritë e para, por nuk munden të refuzojnë lajmërimet e autorizuara nga Presidenti.

Deri në mesditë, i dyshuari Rahami u kap pasi u plagos gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në Nju Xhersi.

XS
SM
MD
LG