Lidhje

OKB, udhëheqësit botërorë premtojnë mbështetje për refugjatët dhe imigrantët

  • Margaret Besheer

Komuniteti ndërkombëtar ka premtuar se do të përmirësojë reagimin e tij ndaj krizave globale të refugjatëve dhe të migrimit, megjithëse ende ekzistojnë shqetësime se plani mund të mos jetë i detajuar sa ç’duhet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Margaret Besheer njofton nga selia e OKB-së në Nju Jork, ku të hënën udhëheqësit botërorë zhvilluan një takim në prag të fillimi të punimeve të takimit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Një shifër e pashembullt prej 65 milionë njerëzish janë të zhvendosur në mbarë botën.Siriani Mohammed Badran është njëri prej tyre. Ai është zhvendosur në Holandë, dhe thotë se ka qenë dëshmitarë i vështirësisë së Evropës në përballimin e fluksit të refugjatëve.

"Ekziston një frikë intensive e publikut nga refugjatët. Si refugjatë të rinj ne ndeshemi me këtë zemërim dhe frikë çdo ditë. Dyert janë të mbyllura për ne, arsimi i lartë është mohuar për ne. Ne jemi shpesh të harruar, nuk trajtohemi me seriozitet dhe nënvlerësohemi".

Shtetet anëtare të OKB-së ranë dakord për të rritur mbështetjen për vendet më të prekura nga kriza, për të rritur fondet humanitare dhe për të sistemuar refugjatët. Por një plan i cili u kërkonte qeverive të sistemonin 10 përqind të refugjatëve të botës çdo vit nuk u miratua.

"Refugjatët dhe imigrantët nuk duhen parë si një barrë. Ata ofrojnë potencial të madh, në qoftë se ne zhbllokojmë atë."

Organizata Ndërkombëtare për Migrim, e cila ka një personel 10.000anëtarësh që vepron në të pesë kontinentet, të hënën zyrtarisht u bë pjesë e OKB-së.

"Pra, për herë të parë në 71 vjet, OKB-ja tani ka një agjenci të migrimit."

OKB-ja ka nisur edhe një fushatë kundër diskriminimit dhe ksenofobisë në lidhje me refugjatët dhe migrantët, ndërkohë që shumë vende po mbyllin kufijtë e tyre ndaj eksodit në rritje të refugjatëve.

Komisioneri i OKB-së për të drejtave të njeriut, kritikoi udhëheqësit të cilët kundërshtojnë rritjen e nivelit të ndarjes së përgjegjësive dhe ndarjes e barrës së refugjatëve dhe imigrantëve.

"Disa prej tyre mund të jenë të pranishëm sot në këtë sallë. Nëse jeni këtu, dua t’ju them se: Ne do të vazhdojmë t’ua përmendim emrin publikisht. Ju mund të largoheni nga kjo sallë, por jo nga gjykimi i të gjithë njerëzve të botës dhe nga ne".

Komentet e tij bënë jehonë në të gjithë sallën e takimit.

XS
SM
MD
LG