Lidhje

Pezullohen dërgesat me ndihma në Siri


Një zyrtar i lartë amerikan thotë se është në dorën e Rusisë të dëshmojë se marrëveshja e armëpushimit ende funksionon në Siri. Zyrtari tha se ishin planifikuar takime të nivelit të lartë me homologët rusë për të diskutuar si mund të menaxhohet situata. Ndërkohë vazhdojnë edhe konsultimet mes anëtarëve të Grupit Mbështetës për Sirinë dhe në Këshillin e Sigurimit, pasi dje një autokolonë me ndihma u godit nga bombat pranë Alepos, duke tronditur marrëveshjen e brishtë të armëpushimit.

Avionë sirianë ose rusë goditën mbrëmë një autokolonë me ndihma pranë Alepos, duke lënë të vrarë 12 vetë. Goditja bëri që ushtria siriane të deklaronte përfundimin e marrrëveshjes një javëshe për armëpushim, të arritur me ndërmjetësimin e amerikanëve dhe rusëve.

Organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet u kryen nga avionë sirianë ose rusë, duke shtuar se që nga përfundimi i armëpushimit ka pasur 35 goditje të tjera.

Kombet e Bashkuara pezulluan lëvizjen e automjeteve me ndihma në Siri, pasi u godit autokolona me 31 kamionë. Ja si shpreher një individ i paidentifikuar:

“Gjashtë vetë nga stafi i Gjysmë-Hënës së Kuqe u vranë; dy veta ishin lënduar dhe u gjetën nën kamionët e shkatërruar. Ky kamion ishte plot me ndihma humanitare, me ilaçe. Ja ku shihen të gjitha: ilaçet, dysheku, ushqimet, të shpërndara përtokë”.

Kryqi i Kuq tha sot se deri tani mund të konfirmonte vetëm vrasjen e një punonjësi ndihmash nga Gjysmë Hëna e Kuqe, si dhe vrasjen e disa civilëve, por shtoi se numri i viktimave mund të jetë më i ulët se u tha fillimisht.

Videot që shfaqen në median sociale tregojnë kamionë të deformuar, disa të shkatërruar plotësisht, si dhe pirgje me mbeturina nga goditja, që vazhdojnë të nxjerrin tym. 18 nga 31 kamionët e autokolonës së organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane u goditën nga bombat, ndërkohë që u godit edhe një magazinë e Gjysmë Hënës së Kuqe, siç konfirmoi zëdhënësi i OKB-së.

Autokolona po dërgonte ndihma për 78 mijë banorë të qytetit të izoluar Urem al-Kubra në distriktin e Alepos.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG