Lidhje

OKB, seancë e jashtëzakonshme për Sirinë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi bisedime të ngutshme të dielën, lidhur me shtimin e dhunës vdekjeprurëse në Aleppo të Sirisë. Bisedimet u zhvilluan ndërkohë që aeroplanët luftarakë sirianë dhe rusë kishin bombarduar sektorin lindor të qytetit, që kontrollohet nga kryengritësit.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e thirrën seancën e jashtëzakonshme për t'i bërë presion Rusisë që të kontrollojë aleatin e saj, Sirinë, për t'u dhënë fund sulmeve ndaj 275 mijë njerëzve të bllokuar në Aleppo. Sulmet, që përfshinin goditje ajore me raketa dhe zjarr artilerie, rrafshuan shtëpi dhe ndërtesa. OKB-ja thotë se gjatë ofensivës u vranë më shumë se 200 vetë.

"Në vend që të kërkojnë paqen, Rusia dhe Assadi bëjnë luftë. Në vend që të ndihmojnë për të siguruar ndihmat e domosdoshme për civilët, Rusia dhe Assadi bombardojnë autokolonat me ndihma humanitare, spitalet dhe ekipet e emergjencës që përpiqen me dëshpërim për të mbajtur njerëzit gjallë," tha ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power.

Përfaqësuesi i Rusisë në organizatën botërore, Vitali Çurkin, i mori në mbrojtje sulmet ajrore, duke akuzuar militantët se po e mbajnë peng popullsinë e Alepos.

"Më shumë se 200 mijë njerëz në Aleppo janë bërë robër të grupeve terroriste, Jabhat al-Nusra dhe të tjera. Ata përpiqen të përdorin gratë dhe fëmijët si mburoja njerëzore. Forcat qeveritare siriane, të cilat po sigurojnë hyrjet strategjike dhe të rëndësishme për në Aleppo, janë të rrethuara. Ato hapin zjarr vetëm kur sulmohen. Terroristët hedhin në erë makina dhe kanë mjete të blinduara. Qeveria siriane i përdor sulmet ajrore vetëm për t’i nxjerrë kryengritësit jashtë qytetit me sa më pak humbje mes civilëve."

OKB-ja tha se sulmet e fuqishme ajrore kundër zonave të mbajtura nga rebelët në Aleppo kanë lënë 1.75 milion njerëz pa ujë të rrjedhshëm, ndërkohë që qyteti ka hyrë në njërën prej bllokadave më të rënda të luftës.

Aleppoja, qyteti i dytë më i madh i Sirisë, që nga viti 2012 vazhdon të jetë i ndarë mes trupave qeveritare, milicive rebele, ekstremistëve islamikë dhe luftëtarëve kurdë. Media e opozitës siriane i quajti sulmet ajrore të këtyre ditëve më të rëndat e gjithë konfliktit në Siri.

XS
SM
MD
LG