Lidhje

Importi i mbetjeve, Basha: Po shohim mundësinë e referendumit


Kreu i opozitës thirrje presidentit të mos dekretojë ligjin. Kryeministri Rama takon përfaqësuesit e shoqatës së Ricikluesve: Me këtë çështje po spekulohet

Në Shqipëri opozita tha sot se po sheh mundësinë për të bërë një kërkesë për referendum kundër ndryshimeve ligjore të miratuara të enjten e shkuar në parlament, vetëm me votat e shumicës së majtë, të cilat mundësojnë importin e mbetjeve urbane me qëllim riciklimi. “Do të shikojmë të gjithë hapësirën kushtetuese dhe rolin që deputetët tanë mund të luajnë brenda kësaj hapësire kushtetuese, për t’i dhënë qytetarëve një mundësi për tu shprehur. Sepse zëri i qytetarëve në këtë çështje duhet dhe do të dëgjohet.Ndaj për këtë qëllim ne po studiojmë edhe ushtrimin e të drejtës tonë, të drejtës parlamentare për të kërkuar Kuvendit që të miratojë një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Kërkesë që kërkon nismën e 28 deputetëve dhe pastaj miratimin e parlamentit”, tha zoti Basha.

Por kërkesa duket më shumë një lëvizje politike për t mbajtur gjallë debatin e ndezur që ka provokuar miratimi i importit të mbetjeve, pasi kërkesa për referendum kërkon miratimin me dy të tretat e parlamentit. Udhëheqësi i opozitës tha se do t’i kërkohet presidentit të Republikës që të mos e dekretojë ligjin dhe ta kthejë atë sërish në parlament. “Do të bëjmë gjithçka që grupi ynë parlamentar ka në dorë për të penguar kalimin e këtij ligji për herë të dytë”, u shpreh zoti Basha, i cili ju rikthye akuzave sipas të cilave pas miratimit të këtij ligji qënrojnë interesa të errëta. “Sot në Shqipëri qeveria nuk garanton dot as cilësinë e produkteve ushqimore që importon. Ndërkohë nga ana tjetër në shumë vende, fqinje dhe të huaja kanë një situatë emergjente në lidhje me mbetjet e rrezikshme dhe të parrezikshme dhe ka interesa të mëdha për të larguar mbetjet nga këto vende drejt vendeve të tjera. Kjo do të thotë që me miratimin e këtij ligji Shqipëria është kthyer drejtpërdrejtë në shënjestër të të gjithëve për të sjellë plehra këtu, mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme, përfshi këtu shënjestrën e grupeve kriminale ndërkombëtare, asaj që njihet si mafia ndërkombëtare e plehrave”, u shpreh zoti Basha.

Po sot kryeministri Edi Rama, i cili është vënë në shenjestër të kritikave, për riaktivizimin e një ligji të cilin shumica e tij e shfuqizoi tre vjet më parë, organizoi një takim me përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve. Ai ritheksoi sërish qëndrimin e tij se “ligji që ne anuluam ishte një ligj që krijonte hapësirë për import plehrash për djegie apo groposje, pra mbeturina të pariciklueshme; së dyti lejonte liçencimin e çdo lloj subjekti kërkues për import mbetjesh; së treti, aplikohej në një kontekst krejtësisht të paqëndrueshëm”, tha zoti Rama, sipas të cilit “Ligji i ri në thelb ka vetëm një ndryshim në raport me industrinë e riciklimit. Ligji i ri, i njeh të drejtën të gjithë subjekteve që kanë struktura industriale riciklimi të blejnë mbetje të gjelbra dhe t’i importojnë ato. Ky është thelbi. Gjithë të tjerat janë spekulime dhe përpjekje për të instrumentalizuar një emocion krejtësisht të natyrshëm dhe krejtësisht të kuptueshëm në publik lidhur me këtë temë”.

Ambjentalistët dhe shumë përfaqësuesë të shoqërisë civile janë shprehur kundër në mënyrë kategorike duke njoftuar se do të kërkojnë sërish një referendum për këtë çështje, siç bënë dhe disa vite më parë kur e fituan këtë të drejtë. Referendumi kundër importit të mbetjeve ishte parashikuar të mbahej në dhjetor të 2013, por ai u anullua pasi në tetor të po atij viti, qeveria e majtë e porsaardhur në pushtet i shfuqizoi nenet që lejonin futjen nga jashtë të mbetjeve.

XS
SM
MD
LG