Lidhje

Vdes Shimon Peres

  • Richard Green

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri izraelit Shimon Peres, i cili i shërbeu vendit të tij që nga themelimi, vdiq në moshën 93 vjeçare. Zoti Peres pësoi një goditje të rëndë në tru më 13 shtator dhe vdiq të mërkurën në spitalin e Tel HaShomerit. Ai ka mbajtur pothuajse çdo post të lartë politik në Izrael gjatë karrierës së tij politike. President Barack Obama dhe udhëheqës të tjerë botërorë po shprehin nderimet për njërën prej figurave më të respektuara dhe legjendare të shtetit izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli me fjalë vlerësimi për zotin Peres, pak orë pas njoftimit të lajmit mortor.

"Shimon ia kushtoi jetën sovranitetit të popullit tonë. Si njeri me vizion, ai e drejtonte vështrimin nga e ardhmja. Si njeri i sigurisë, ai e rriti forcën e Izraelit në shumë aspekte, disa prej të cilave edhe sot janë ende të panjohura. Si njeri i paqes, ai punoi deri në ditët e tij të fundit drejt pajtimit me fqinjët për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë."

I lindur në Bjellorusinë e sotme më 1923, Peres u zhvendos me familjen në shtetin e ardhshëm hebraik kur ishte 11 vjeç dhe kur Izraeli njihej si Palestina britanike.

Në vitin 1952, kur ishte 29 vjeç, ai u bë ministri më i ri i mbrojtjes i Izraelit. Atij iu njoh merita se punoi për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes, atë ajrore dhe programin bërthamor të Izraelit.

Në karrierën e tij të gjatë, zoti Peres mbajti pothuajse çdo post të lartë politik të vendit. Ai ka qenë dy herë kryeministër, president, ministër i mbrojtjes dhe i jashtëm.

Arritja e tij më e madhe si ministër i jashtëm ka qenë roli në nënshkrimin e Marrëveshjes së Oslos, e cila i dha statusin vetëqeverisës palestinezëve, përpjekje për cilën ai së bashku me ish-kryeministrin Yitzhak Rabin dhe ish-udhëheqësin palestinez Yasser Arafat u nderua me çmimin Nobel të paqes në vitin 1994.

Djali i tij Chemi Peres i bëri homazh të atit:

"Ai punoi pa u lodhur për Izraelin, nga dita e parë e shtetit deri në ditën e fundit të jetës së tij."

Pas largimit nga detyra publike, zoti Peres themeloi Qendrën për Paqe Peres, që zhvillon projekte të përbashkëta, ekonomike, arsimore dhe kulturore me palestinezët, Egjiptin dhe Jordaninë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG