Lidhje

Importi i mbetjeve, protestë para Qeverisë

  • Armand Mero

Në Shqipëri Aleanca kundër importit të plehrave, një organizim që bashkon shoqata dhe qytetarë të ndryshëm protestoi sot kundër vendimit të parlamentit dy javëve më parë për lejimin e importit të disa mbetjeve me qëllim riciklimi. Ata akuzuan qeverinë se ka tradhëtuar interesat publike duke kërkuar nga presidenti Bujar Nishani mosdekretimin e ligjit. Ndërkohë kryeministri Edi Rama sërish i mbrojti ndryshimet e reja ligjore duke shpjeguar se ato nuk lejojnë futjen e mbetjeve të rrezikshme.

Me një karton të kuq në dorë për të dëshmuar kundërshtinë e tyre ndaj ligjit i cili lejon importin e disa mbetjeve me qëllim riciklimi, qindra qytetarë, përfaqësuesë të shoqërisë civile, ju përgjigjën thirrjes së Aleancës kundër importit të plehrave, e cila ju kundërvu edhe pesë vite më parë ndryshimeve ligjore të miratuara në atë kohë, po për sjelljen nga jashtë të mbetjeve. Përpara godinës së qeverisë, ndaj së cilës drejtohej protesta, u vunë disa thasë mbeturinash ku ishin stampuar portretet e kryeministrit dhe disa deputetëve socialistë.

Për afër një orë, nën thirrjet kundër ligjit, ata kërkuan nga Presidenti i Republikës që të mos e dekretojë atë, ndërsa në shënjestër ishte kryeministri për qëndrimet e kundërta në harkun e tre viteve. “Sot kemi një rikthim të këtij ligji famëkeq. Ne jemi këtu për t’i thënë sërish Jo Plehrave në Shqipëri”, u shpreh Andi Tepelena, aktivist i AKIP-it, në fjalën përpara protestuesve. “Ka ardhur koha që ne të veprojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë”, deklaroi nga ana e saj Kozara Kati, një aktiviste e njohur e të Drejtave të Njeriut, ndërsa protestuesit në kor përsërisnin: “Ne themi Jo!”. Ndërsa sipas aktivistes Brizida Gjikondi: “Burri mbahet nga fjalë, themi ne, sidomos shqiptari. Por zoti Rama e shkeli fjalën dhe si burrë dhe si shqiptarë”, theksoi ajo.

Në të njejtën kohë që zhvillohej protesta para zyrave të tij, kryeministri nuk gjendej aty por në mbledhjen e asamblesë së partisë së tij, prej nga ju përgjigj akuzave që i drejtohen: “Është e domosdoshme që unë ta them shumë hapur, shumë qartë, për të gjithë qytetarët, që kurrë, unë, qeveria jonë dhe partia jonë nuk do t’i tradhtonte qytetarët, duke bërë një ligj ku të krijohej qoftë dhe shtegu më i vogël, për të ndotur më shumë Shqipërinë. Kurrë nuk mund të ndodhë kjo gjë! Ligji ynë i ndalon rreptësisht dhe mbyll rreptësisht çdo hapësirë, duke e thënë në mënyrë eksplicite që ndalohet ardhja e çdo lloj mbetjeje për qëllim djegie apo groposjeje në territorin e Shqipërisë”

Kryeministri përsëriti dhe një herë së bëhej fjalë vetëm për disa artikuj të mbetjeve të gjelbërta, dhe se sipas tij nuk ka asnjë rrezik nga importi i tyre. Ai tha se në ndryshim nga ligji i rrëzuar në vitin 2013, ai i miratuar nga e majta ka shumë kufizime, dhe se është shumë më i rreptë se ligjet që kanë vendet e tjera edhe në rajon. Sipas tij, industria e riciklimit është një industri e pastër, zhvillimi i së cilës do të sjellë avantazhe dhe për ekonominë.

Debati për këtë çështje duket se do të qëndrojë gjatë i hapur. E majta në parlament do të duhet të përballet dhe me kërkesën e opozitës për referendum për ndalimin e çdo lloj importi, kërkesë e cila nisur nga deklarata e deritanishme të eksponentëve të së majtës, duket se do të rrëzohet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG