Lidhje

Nishani-Thaçi: forcim marrëdhënieve ekonomike


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nisi sot një vizitë dy ditore në Shqipëri gjatë së cilës ai ka patur takime me autoritetet më të larta të vendit. Shqipëria dhe Kosova kanë një bashkëpunim të gjithanshëm, dhe në takimet e sotme në Tiranë, theksi është vënë kryesisht në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Vizita e nisur sot në Tiranë, është e para që kur zoti Hashim Thaçi ndodhet në postin e presidentit të Kosovës. Dhe takimin e tij të parë ai e pati pikërisht me homologun e tij Bujar Nishani. Fillimisht një bisedë kokë me kokë e më pas ajo mes dy delegacioneve në përbërje të së cilëve kishte edhe ministra të qeverive respektive. Një dëshmi e rëndësisë që të dyja palët i japin veçanërisht bashkëpunimit ekonomik, siç u shpreh presidenti Nishani: “Përtej bashkëpunimit të shkëlqyer dhe strategjik të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, përfshirja e ministrave specifikisht të fushës së bujqësisë dhe të transportit e infrastrukturës në delegacionet përkatëse, demonstron interesin e madh që dy vendet tona i kushtojnë bashkëpunimit në këto sektorë, si në kontekstin dypalësh ashtu edhe impaktin dhe lidhjet e këtyre sektorëve me zhvillimet rajonale. Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh, vlerësuam me nota shumë pozitive dinamikën e bashkëpunimit të deritanishëm, ku padyshim një rol të veçantë kanë luajtur edhe takimet e përbashkëta mes qeverive të të dy shteteve”.

Presidenti Thaçi nis vizitën dy ditore në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Siç ndodh gjithnjë në takimet mes autoriteteteve të të dy vendeve, edhe presidenti Thaçi i mëshoi falenderimeve për rolin që Tirana ka luajtur dhe luan për njohjen e Kosovës dhe përfshirjen e saj në organizatat dhe nismat ndërkombëtare dhe rajonale. Sipas presidentit Thaçi, “Shqipëria është një zë shtesë i Kosovës. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, tanimë kanë marrë një dimension të një partneriteti të fuqishëm strategjik, për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon, por në të njejtën kohë dhe të marrëdhënieve tona dypalëshe, në veçanti dhe me mbledhjet e dy qeverive. Jam i bindur se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, është model për rajonin, si një bashkëpunim shumëdimensional”.

Dita e parë e vizitës së zotit Thaçi ka qenë mjaft e intensive. Ai ka biseduar me kryeministrin Edi Rama, për të takuar më pas kryetarin e parlamentit Ilir Meta, si dhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Presidenti Thaçi ishte organizatori i një ceremonie ku figurave dhe personaliteteve të ndryshme shqiptare ju dhanë medalje e dekorata mirënjohjeje, ndërkohë që në 85- vjetorin e lindjes, ai vizitoi në banesën e tij shkrimtarin e shquar Dritero Agolli, të cilit i dorëzoi dhe Urdhërin e Pavarësisë.

XS
SM
MD
LG