Lidhje

Ligjvënësi i Parlamentit Evropian Richard Howitt viziton Shkupin

  • Isak Ramadani

Ligjvënësi i Parlamentit Evropian, Richard Howitt, i cili qëndroi të hënën në Shkup u takua me Prokuroren e Posaçme Katica Janeva. Gjatë një konference shtypi, mes tjerash, ai foli edhe për zgjedhjet e pritshme dhe për raportin e progresit të Komisionit Evropian që pritet të dalë brenda muajit.

Ligjvënësi Howitt, i cili ka qenë raportues për Maqedoninë dhe ndihmës i Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn në bisedimet politike mes palëve në Maqedoni, theksoi nevojën e formimit të një departamenti në kuadër të gjykatave të Maqedonisë, që do të merrej me lëndët e ngritura nga Prokuroria e Posaçme e këtij vendi. Zoti Howitt bëri thirrje për ndaljen e trysnisë mbi Prokurorinë e Posaçme. Ai tha se është i shqetësuar për mundësinë e anulimit nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë të ligjit për veprimin e Prokurorisë së Posaçme. Zoti Howitt tha se shpreson që Parlamenti i Maqedonisë të miratojë kërkesat e Prokurorisë, ku mes tjerash parashikohet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ligjvënësi evropian, vlerëson se Brukseli në raportin e pritshëm të progresit do t’i bëjë ftesë të kushtëzuar Maqedonisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Autoritetet maqedonase fajësojnë Greqinë për bllokimin e proceseve integruese për shkak të mosmarrëveshjeve rreth emrit të Maqedonisë. Maqedonia ka marrë statusin e vendit kandidat qysh në dhjetor të vitit 2005, por që atëherë nuk janë shënuar përparime të dukshme drejt integrimit Euro-Atlantik.

Ndërkohë, po për çështjen e integrimit, të hënën kanë diskutuar në një takim, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe përfaqësuesi i lartë i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Batelli. Ali Ahmeti ka theksuar nevojën e rikthimit të axhendës Euro-atlantike nga qeveria e Maqedonisë që do të dalë pas zgjedhjeve, sipas një komunikate të partisë shqiptare.

Zoti Ahmeti ka thënë se Maqedonia ka nevojë për institucione stabile që do të bëjnë reforma dhe të punojnë në drejtim të zgjidhjes së probemit të emrit, për integrimin e vendit në NATO dhe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse vetëm kjo axhendë, sipas tij, mundëson marrëdhënie të mira ndëretnike, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.

XS
SM
MD
LG