Lidhje

Gjyqi për vrasjen e kreut të opozitës ruse

  • Zllatica Hoke

Pesë të dyshuarit për vrasjen në vitin 2015 të politikanit të opozitës ruse Boris Nemtsov janë duke u gjykuar nga një gjykatë ushtarake ruse. Pesë të dyshuarit, të gjithë shtetas çeçenë i mohuan akuzat duke thënë se janë të pafajshsëm. Mbështetësit e zotit Nemtsov dhe familjarët e tij thonë se vrasja u orkestrua nga politikanë të lartë dhe se organizatorët nuk do të gjenden kurrë.

Gjyqi filloi dje pas disa muajsh vonesash, pasi autoritetet ishin në kërkim të një tjetër të dyshuari, që mendohet se është larguar nga vendi. Motivi për vrasjen e zotit Nemtsov mbetet i paqartë, por shumë mendojnë se ka lidhje me aktivitetin e tij politik. Ai kritikonte haptazi Presidentin Vladimir Putin dhe ishte arrestuar disa herë për pjesëmarrje në tubime pa leje të opozitës.

Familja e tij dhe mbështetësit thonë se hetimet nuk u morën me personat që urdhëruan vrasjen, por vetëm me ata që e kryen atë. Vadim Prokhorov është avokat i familjes Nemtsov.

“Po përballen vetëm me akuza për kryerjen e vrasjes. Prandaj nëse dëgjojmë se u zgjidh vrasja e tij, është një gënjeshtër. Vrasja nuk është zgjidhur.”

Vrasja në qendër të Kremlinit ka ngjallur dyshime për përfshirje të zyrtarëve të lartë rusë.

“Dyshohet shumë që këta persona të parëndësishëm të kenë patur rol madhor. Duket se prapa këtij rasti qëndron dikush me pozita shumë të larta”, thotë Peter Eltson me Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes.

Zoti Eltsov thotë se është traditë e Rusisë të dënojë individë të tillë për vrasje të nivelit të lartë, por jo autorët e vërtetë.

“Për vrasjen p.sh. të disidentes Galina Starovoytova, apo të gazetares Anna Politkovskaya, gjetën dikë dhe e dënuan me burg, por askush nuk beson seriozisht se ata ishin autorët e vrasjeve.”

Familja e zotit Nemtsov ka kërkuar që hetimet të shtrihen tek zyrtarët e lartë të Republikës Çeçene, përfshirë udhëheqësin e saj Ramzan Kadyrov. Deri më tani kjo nuk ka ndodhur.

“Shpresojmë që në këtë proçes gjyqësor të dalin argumenta të reja që do ta shtyjnë qeverinë të zhvillojë një hetim të plotë, jo vetëm ndaj atyre që kryen vrasjen, por edhe ndaj organizatorëve.”

Udhëheqësi i Çeçenisë Ramzan Kadyrov është një aleat i ngushtë i Presidentit Putin, i cili e ka dënuar publikisht vrasjen dhe u zotua se përgjegjësit do të nxirreshin para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG